Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të mërkurën vonë se është bastisur një organizatë joqeveritare e vendosur në një anesk të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, për siç tha, veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës.
“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, shkroi Sveçla në rrjetin social Facebook.
Ai theksoi se Departamenti i Organizatave Joqeveritare i Ministrisë së tij ka konfirmuar se organizata e bastisur është “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”.
Sveçla tha se ajo nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.
“Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, shtoi ai.
“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se bashkë me Policinë e Kosovës kishte kryer bastisje mëngjesin e së mërkurës “në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt.”