Gani Geci dënohet me 3 vjet e gjysmë burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, nga gjykatësi Radosllav Markoviq, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.Geci u ngarkua edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 400 euro, paushallin gjyqësor në shumën prej 250 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit. Të gjitha këto pagesa duhet t’i kryejë në afat prej 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.

Kurse, pala e dëmtuar për kërkesën pasurore juridike u udhëzua në kontest civil. Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci kishte deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë.

Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci kishte thënë se nuk ndihet fajtor.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, kishte deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit 2021. Mirëpo, pranimi i fajësisë ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej. Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.


Shtuar 4.06.2021 15:02