Armando Broja është në shitje dhe Chelsea është gati ta lërë të largohet edhe nëse nuk do të blejë lojtar tjetër për repartin e sulmit në janar. Ky është lajmi i bujshëm që vjen sot nga prestigjiozja “The Athletic”, që bën të ditur se blutë londinezë janë gati t’i japin lamtumirën sulmuesit të Kombëtares shqiptare që në janar.
“Chelsea ka dëshirë të lejojë Armando Brojën të largohet në mënyrë permanente dhe një largim i tij i mundshëm nuk është në varësi të blerjes së një zëvendësuesi nga Chelsea. Ka interes nga disa klube të ndryshme për sulmuesin 22-vjeçar, përfshirë Fulham, West Ham dhe Wolverhampton.
Çdo interes për një rekrutim të ri në janar apo në verë, nuk ka lidhje me situatën e Brojës, teksa Kristofer Nkunku pritet të kthehet nga dëmtimi shpejt”, shkruhet në artikullin e portalit të njohur sportiv britanik rreth transferimit të sulmuesit.
Një lajm i tillë, qartësisht hap ankandin për Brojën, me klubet e interesuara që tashmë duhet të bëjnë një propozim konkret për sulmuesin shqiptar, i cili kërkon të aktivizohet rregullisht. Pak ditë më parë u raportua se Chelsea kërkon 30 milionë paund për shitjen e tij, duke frenuar disi interesimin e klubeve të tjera që mendojnë se kjo shifër është shumë e lartë. /panoramasport/