Trump fiton zgjedhjet partiake në Ajova

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shënuar fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Ajova, përderisa la shumë prapa rivalët e tij, një fitore që e çon më afër fitimit të nominimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Në votimet, ku pjesëmarrja ishte më e ulëta në çerek shekullin e fundit, pjesëmarrësit votuan në kushte të rënda atmosferike. Votimet brendapartiake u mbajtën në qindra shkolla, kisha dhe qendra të komunitetit në mbarë Ajovën.

Trump fitoi 30 pikë, duke thyer rekordin e zgjedhjeve brendapartiake në Ajova, pasi më 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli i dyti, ndërkaq e treta ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Rezultatet në Ajova i japin shans të mirë Trumpit për të fituar nominimin e republikanëve, edhe pse do të duhen edhe disa muaj që njëri nga kandidatët zyrtarisht të bëhet i nominuar për president nga kjo parti.

Përderisa në muajt e fundit është zotuar për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë, Trump në fjalimin e tij përcolli mesazh të unitetit.

“Ne duam të bashkohemi, qoftë nëse jeni republikan, demokrat, liberal apo konservator. Ne do të bashkohemi. Kjo do të ndodhë së shpejti”, tha ai.

Tani gara brendapartiake në mesin e republikanëve do të zhvendoset në Nju Hempshajër, ku do të zhvillohen votime më 23 janar.

Ndërkaq, në Karolinën e Jugut më 24 shkurt do të mbahen votimet, të cilat mund të jenë shumë të rëndësishme. DeSantis të martën zhvilloi fushatë atje.

Haley ndërkaq, pritet të mbajë fushatë në Nju Hempshajër, ku shpreson që të jetë e suksesshme për të fituar mbështetjen e votuesve të pavarur.

Votimi në Ajova ishte i fshehtë.

Demokratët në Ajova, ndaras, në këtë cikël zgjedhor do të zgjedhin kandidatin e tyre për president duke votuar krejtësisht përmes postës. Rezultatet do të publikohen më 5 mars, gjatë Super të Martës.


Shtuar 16.01.2024 08:44