Një grua 41-vjeçare, nënë e 4 fëmijëve, ka rënë viktimë e bullizmit, nga anonimati në tik tok dhe nga mos funksionimi i drejtësisë.
Pasi duroi një kalvar njëvjeçar të ngacmimit/poshtërimit në rrjetin social, 41 vjeçarja vendosi t’i jap fund jetës.
Kalvari i saj nisi në dhjetor 2022 kohë që kërkoi mbrojtje në shtepinë e ligjit, duke raportuar në polici atë që po i bëhej në TikTok. Viktima nuk e dinte që autori/autorja i këtij makthi online banonte në Itali. Sot policia thotë se, kallëzimi i të ndjerës është përcjellë në prokurori. Ky reagim me shumë se sqarim është justifikim. Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo thënie sot tingëllon me shumë se ironike.
Epidemia e bullizmit kibernetik në TikTok nuk është një incident i izoluar dhe tragjedia është kronikë e një vrasje të paralajmëruar.
“Vrasje” që nis tek gjuha që figurat publike, përdorin në publik, te hapësira në media që i jepet turli farësoj idioti/të marri dhe te “legjitimiteti” i anonimatit dhe gjuhës së urrejtjes on line.
Ngjarja e Durrësit hedh dritë mbi rreziqet që mbart jeta virtuale, ku çdokush mund të bjerë viktimë e sulmeve mizore, që çojnë dhe në tragjedi.
Mjaft të lexosh disa komente anonime për të kuptuar se deri në çfarë derexheje ka mbërritur diskursi publik dhe çfarë “normaliteti” ka fituar gjuha e urrejtes.
Në mungesë të një normaliteti në sferën publike, në mungesë të një normaliteti në Parlament, në mungesë të një normaliteti në TV, mjaft njerëz kërkojnë një lloj eskapizmi në rrjetet sociale dhe nga shiu bien në breshër, pre e agresorëve anonimë.
Ndërsa pasojat e bullizmit të pakontrolluar në internet, janë të qarta për të gjithë është koha për të bërë diçka, përtej vajtimit on line. Reagimi sa për t’ia hedhur edhe këtë radhë veç sa ngre pyetjen: kush e ka radhën?
Është koha që skuthët on line të marrin mesazhin se “anonimati” nuk do të jetë më mburojë/ leje për gjuetie.
Çdokush që bën poshtërsi on line duhet të ndëshkohet.
Në emër të “lirisë së fjalës” nuk mund t’i marrësh jetën tjetrit.
Media ka shumë për të bërë sidomos me tolerimin që i ka bërë anonimëve, prindërit kanë shumë për të bërë për të informuar fëmijët se çfarë ka pas fasadës magjepëse të rrjeteve sociale, shoqëria ka shumë për të bërë për të kuptuar ndikimin/peshën e fjalëve si në rrugë ashtu edhe në internet
Ligjëvënësit mund të bëjnë detyrën duke marrë angazhim konkret.
Ata që shfaqen anonimë on line duhet të kuptojnë se gjurmët digjitale janë të pashlyeshme dhe nuk janë aq të padukshëm sa mendojnë.
Veprimi i shpejtë dhe i fortë kundër autorëve të ngacmimeve në internet, veçanërisht kur anonimati përdoret si mburojë, dërgon mesazhin e duhur: akte të tilla do të përballen me forcën e ligjit.
Humbja tragjike e jetës së 41 vjeçares është një kujtesë se lufta kundër anonimatit dhe komenteve denigruese në internet nuk është sfidë teknologjike, por kërkesë morale e kohës.