Ditën e sotme, janë zbardhur detaje të reja në lidhje me portugezin Ruben Saraiva, i cili një ditë më parë u la në burg nga Gjykata e Lezhës, si i dyshuar për eliminimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, me 19-prill të vitit që lamë pas në Shëngjin.
28-vjeçari i ekstraduar nga Maroku për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ka qenë i veshur me antiplumb gjatë seancës gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë të dhënë në mungesë ndaj tij, ndërsa në deklarimet para togave të zeza ndonëse ka mohuar përfshirjen në ngjarje është shprehur i frikësuar se mund t’i rrezikohej jeta gjatë qëndrimit në Shqipëri.
“Sa më gjatë të qëndroj në Shqipëri jam i rrezikuar”, mësohet të ketë thënë Ruben Saraiva i cili ka refuzuar të japë dhe gjeneralitetet e plota gjatë seancës gjyqësore të ditës së martë.
Pas caktimit të masës së sigurisë arrest në burg pa afat, nën masa të rrepta sigurie, 28-vjeçari portugez u dërgua në Burgun e Reçit në Shkodër, nga ku mësohet se është hartuar një plan masash për garantimin e sigurisë së tij.
Po për eliminimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia si porositës.
Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare, kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.
Ekzekutimi i biznesmenit Ardian Nikulaj, ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.