U takua me kunatin e Bashës? Socialistët të gjithë kundër Lelit: Kthehu në Vlorë

Kryetari i PS-së në Vlorë, Anduel Tahiraj deputet i zgjedhur në 25 Prill dhe anëtar i këshillit bashkiak të qytetit bregdetar ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku sulmon hapur kryebashkiakun Dritan Leli pas lajmit që qarkulloi në media se u takua me kunatin e Lulzim Bashës.

“Nuk na intereson se kë takon Dritan Leli pas mureve në Tiranë, po duam vetëm të pastrojë plehrat kapicë gjer në majë të mureve në Vlorë! Nuk duam ta dimë çfarë mund ta lidhë Dritanin me Kunatin më të famshëm të Ballkanit, po duam që Dritani të mbyllë gropat e rrugëve që lidhin lagjet e Vlorës! Dritan kthehu në Vlorë se (nuk) të pret puna” shkruan ai.

Por Dritan Leli e mohoi një takim të tillë duke thënë se nuk e ka takuar asnjëherë dhe nuk e njeh Erion Isufajn, kunat i Lulzim Bashës.

“Për të gjithë ata që nxjerrin çfarë duan e nuk shohin çfarë nxjerrin, me gjithë skenarët e qëndisur, më duhet të them se në videon e publikuar nga media, ndërkohë që është duke u zhvilluar Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, jam duke biseduar me inxhinierin e pedagogun vlonjat Idlir Dervishi, në oborrin e Akademisë së Arteve, pranë Universitetit Politeknik, ku Idliri punon! Kunatin e Lulit, as nuk e kam parë, as nuk e kam takuar ndonjëherë në jetë” shkruan ai.

Mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka pasur përplasje të vazhdueshme.


Shtuar 2.06.2021 19:00