Flamur Noka: SPAK një celulë e Rilindjes, Shqipëria me urdhra të Ramës është kthyer në një Iran

Gjatë një interviste televizive, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta në drejtim të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai tha se SPAK po zbaton urdhrat e Edi Ramës, për të eliminuar opozitën.

“Skapi është bërë një celulë e Rilindjes, e cila përdoret për inkuizicion politik dhe vetëm drejtësi jo. Prej gati dy muajsh në betejë me të drejtën, shqiptarët kanë parë që tërbimi me të cilin regjimi është turrur kundër Partisë Demokratike dhe liderit të saj është i pashoq. As diktatura e Enver Hoxhës nuk e përdorte kaq keq Sigurimin e Shtetit nuk e përdorte siç e përdor Edi Rama Skapin.

Është jashtë çdo perceptimi që një njeri apo një personalitet siç është Sali Berisha, një njeri që është ligjvënës dhe gjithë jetën ia ka kushtuar shtetbërjes të jetë pa asnjë provë, pa asnjë akuzë të jetë në këto masa. Shqipëria sot me urdhra të Edi Rama dhe me zbatim të Skapit është një Iran, është një Rusi, dhe Shqipëria nuk është më shtet i Evropës.

Janë ditë të errëta për demokracinë e vendit. Të lësh vendin pa opozitë, të tentosh të burgosësh kreun e opozitës vetëm se ai nuk nënshtrohet, shantazhohet dhe nuk bën fake opozitë vetëm se po çmonton propagandën 10 vjeçare, do të thotë se ti je vetëm një dictator”.


Shtuar 26.12.2023 15:25