Partia Demokratike ka vënë në lëvizje procedurën për zgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë për kryetarë bashkish në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Udhëzimi përkatës është firmosur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, duke përcaktuar rregullat dhe kriteret e procesit.
Përzgjedhja do të zhvillohet në të gjitha degët e Partisë Demokratike dhe nuk do të kufizohet vetëm te anëtarët apo strukturat e saj. Në këtë proces mund të përfshihen gjithashtu mbështetësit, simpatizantët, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, profesionistë dhe komunitetet lokale.
Të lidhura
None found
Dokumenti përcakton se kandidatët duhet të shquhen për integritet moral dhe profesional, të kenë një reputacion të pacenuar, arsim të lartë dhe angazhim të provuar në jetën publike. Në vlerësim do të merren parasysh edhe kontributet në PD ose në kauza qytetare.
Shqyrtimi i emrave do të bëhet nga një Komision Seleksionimi i përbërë nga pesë anëtarë. Ky komision do t’i paraqesë Kryesisë së PD-së rekomandimet për kandidatët që përmbushin kushtet e përcaktuara. Deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive do të konsiderohen automatikisht të kualifikuar për vijimin e procedurave.
Propozimet mund të paraqiten nga strukturat e partisë, ndërsa kandidatët kanë edhe të drejtën e vetëpropozimit. Dokumentet përkatëse duhet të depozitohen pranë sekretariatit përkatës të PD-së.
Data 30 nëntor 2026 është përcaktuar si afati i fundit për mbledhjen e të gjitha propozimeve.








