Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi pas samitit të BE-së Ballkani Perëndimor, se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, rruga përpara qëndron në përmbushjen e angazhimeve të tyre në kuadër të dialogut të BE-së, teksa ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Ajo në një konferencë për media sonte në Bruksel ka thënë se në samit u diskutua gjendja aktuale në sfondin e raportit të Komisionit për Zgjerim.
Von der Leyen tha se negociatat e anëtarësimit janë pjesë e përpjekjeve të BE-së për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë bllokut evropian, duke përmendur këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Sa për rikujtim, ne duam të hapim sa më shpejt negociatat e anëtarësimit për të ashtuquajturin “grupin e gjërave themelore” me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne konsiderojmë se mund të hapim negociatat e anëtarësimit me Bosnje Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, ka një moment të ri në vend me qeverinë e re për t’u rikthyer në rrugën e saj të pranimit”, ka thënë von der Leyen.
Ajo ndërkaq ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin angazhimet e tyre brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja, teksa pret zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Dhe së fundi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, rruga përpara qëndron në përmbushjen e angazhimeve të tyre në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në veri të Kosovës, në veçanti, për targat, energjinë elektrike dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian.