Ministri i Transportit të Ugandës dhe ish-komandati i ushtrisë gjenerali Katumba Wamala janë sulmuar nga disa persona të armatosur.
BBC bën me dije se si pasojë e sulmit humbi jetën vajza e gjeneralit dhe shoferi i tij.
Zëdhënësi i ushtrisë deklaroi për mediat se Wamala është plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas disa dëshmitarëve të cituar nga BBC, disa persona u afruan me motorë dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin ministri i Transportit dhe vajza e tij, afër shtëpisë së tyre në Kampala, kryeqyteti i Ugandës.
Gjenerali është shtruar në spital, ku dhe po kurohet për plagët e marra, ndërsa ruhet nga forcat ushtarake.
“Ne kemi të dhëna në lidhje me identitetin e autorëve”, tha presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, ndërsa i konsideroi ata “derra” dhe “terroristë”.