“Në Komisionin e Sigurisë ka një kriminel me kollare”, Berisha: Kur të caktojmë datën për protestë, do e bëjmë me dije

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se sapo të vendoset një datë se kur do të mbahet protesta, do të bëhet e ditur. Në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, Berisha u shpreh se  opozita denoncon ‘kriminelin me kollare që është te Komisioni i Sigurisë’, duke iu referuar Taulant Ballës.

“Sot Balla përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë. Nuk ka fatkeqësi si kjo për vendin. U vendos të vazhdojë mosbindja civile me të gjithë varitetet e saj. Nje pjesë e deputetëve janë tani në Komisionin e Sigurisë, ku njëri nga kriminelët më të rrezikshëm me kollare, të Shqipërisë dhe rajonit, do referojë në emër të krimit dhe drogës dhe të lidhjeve të tij që ka.

Nuk ka përqeshje më të madhe për këtë komb se të vendoset në krye të sigurisë së vendit, një individ i akuzuar në sallat e gjyqit si njeri që ka porositur vrasje.
I cili ka shoqëruar narkotrafikantin, bosin Edmond Bego, 54 herë me ngarkesa droge nga Tirana jashtë vendit.
I cili ka shoqëruar Pëllumb Gjokën disa herë nga Tirana në Romë. Në fakt ka mbrojtur me pasaportën e tij diplomatike, transportin e drogës për klanet kriminale.
Përveç kësaj Balla është i njohur me lidhjet e tij me Bajrat, si një zar i tyre, ku në regjistrime ata shprehen se me të e kemi zgjidhur problemin e ligjit të lojërave të fatit.
Po ashtu me Rrajat, me bandën e Elbasanit, ku ky merret me tenderat që duhet të fitojë një nga banditët e Elbasanit. Pra, sot ky përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë. Nuk ka fatkeqësi si kjo për vendin dhe ne e denoncojmë.”, tha ai.


Shtuar 6.12.2023 11:25