Pas Navalny, autoritetet ruse arrestojnë një tjetër opozitar

Ndërsa zgjedhjet parlamentare afrojnë, autoritetet ruse kanë rritur presionin ndaj kundërshtarëve politikë duke arrestuar një aktivist të opozitës dhe duke bastisur shtëpitë e disa të tjerëve. Rasti më i freskët është ai i së hënës i ndalimit të një avioni dhe arrestimit të Andrei Pivovarov, ish drejtori i grupit opozitar “Rusia e Hapur”.

Ish drejtori i lëvizjes “Rusia e Hapur”, një grup opozitar i lidhur me ish-manjatin e naftës dhe kritikun e Kremlinit në mërgim Mikhail Khodorokovsky, u nxorr nga një aeroplan në Shën Peterburg dhe u arrestua.

Lajmi u bë i ditur nga OVD-info, një grup që monitoron veprimet e policisë kundër figurave opozitare.

Në njoftim thuhet se Andrei Pivovarov është arrestuar në aeroportin Pulkovo dhe prej andej u transferua në Komitetin e Hetimeve.

Javën e kaluar lëvizja “Rusia e Hapur” njoftoi se kishte vendosur t’i japin fund aktiviteteve në Rusi, për të mbrojtur antëtarët e saj nga rreziku i burgosjes.

Më 2017 Rusia e kishte shpallur si të padëshiruar grupin me bazë në Londër, duke ndaluar aktivitetet e saj.

Aleatët e këtij grupi në Rusi e vazhduan veprimtarinë me të njëjtin emër, por si një entitet i veçantë juridik, në përpjekje për t’u mbrojtur nga ndjekja penale.

Rusia thotë se ky ligj është i domosdoshëm për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare nga ndërhyrjet e jashtme.

“Ai dyshohet për bashkëpunim me një organizatë të padëshiruar. Të them të drejtën, kjo na befasoi shumë pasi ne kemi mbyllur grupin ‘Rusia e Hapur’ disa ditë më parë. Do të doja të theksoja se nuk ka asnjë organizatë të padëshiruar të quajtur ‘Rusia e Hapur’. Është një trillim i shërbimeve tona të sigurisë“, tha Tatyana Usmanova, ish koordinatore e lëvizjes për Rusinë e Hapur.

Ajo e krahasoi masën e autoriteteve ruse me atë të Bjellorusisë që ditë më parë detyroi një avion pasagjerësh të kompanisë Ryanair të ndryshonte itinerarin dhe të ulej në Minsk, me qëllim që të arrestonte një gazetar që njihet si kritik i zëshëm i regjimit të Aleksandër Lukashenkos.

“Kur jo vetëm një vend, as dy, por e githë bota diskutoi për çmendurinë që Alexandër Lukashenko bëri në Misnk, duke bërë praktikisht të njëjtën gjë në Shën Peterburg duke ndaluar avionin në pistë, u tregua kulmi i marrëzisë dhe mungesës së respektimit të të drejtave të njeriut”, tha zonja Usmanova.

Ndërhyrja e policisë ruse vonoi fluturimin drejt Polonisë për 1 orë e gjysmë.

Ndalimi dhe arrestimi i aktivistit Pivovarov është pjesë e një goditjeje të shumëfishtë ndaj opozitës që shihet gjërësisht si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të parandaluar çdo grup opozitar që të sfidojë partinë kryesore “Rusia e Bashkuar” të mbështetur nga Kremlini në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Popullariteti i partisë “Rusia e Bashkuar” është zbehur mes sfidave ekonomike të vendit./ VOA


Shtuar 1.06.2021 17:58