Mbytja e anijes në Lesbos: Agoni për 12 marinarët e zhdukur, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre

Greqi– Në kushtet e përmirësuara të motit dhe me erërat e dobësuara, kërkimet e rojes bregdetare vazhduan gjatë gjithë natës me asistencën e mjeteve lundruese në zonën detare në jugperëndim të Lesvos për gjetjen e 12 anëtarëve të anijes së mallrave “Raptor”.
Anija u mbyt dje në kushte veçanërisht të pafavorshme moti.

Sot në kërkim do të marrin pjesë edhe dy mjete të tjera të rojes bregdetare dhe një helikopter i marinës, ku përfaqësuesi për shtyp i rojes bregdetare sqaron se sipas protokolleve, një person në ujë me temperaturë 20 gradëmbijeton për 20 deri në 26 orë.

Nga operacioni gjigant i kërkim-shpëtimit që u ngrit që prej mëngjesit të së dielës, kur anija lëshoi sinjalin e fatkeqësisë, është gjetur i gjallë inxhinieri egjiptian i anijes dhe një trup i cili u transferua në orën 20:00 në portin e Mytilene.

Gjithsej 14 anëtarë të ekuipazhit (një indian, njëmbëdhjetë egjiptianë dhe dy sirianë) ndodheshin në bordin e Raptor, i cili u mbyt në rrethana ende të paqarta, ndërsa anija po transportonte kripë nga Egjipti për në Stamboll.

Detari egjiptian i shpëtuar u gjet nga një helikopter i Marinës në një fuçi me lëndime të lehta në kokë.

Duke folur për rojet bregdetare, ai zbuloi se “Raptor”, i cili u mbyt në Lesbos, filloi të marrë ujë që nga mbrëmja e së shtunës.

“Anija po merrte ujë që mbrëmë. U përpoqëm me kova dhe çfarëdo mjeti tjetër që kishim në bord, të nxirrnim ujin, ta zbraznim. Ky është urdhri që na dhanë. Kur filloi të bëhej e rrezikshme, atëherë u hodha në det. Pashë edhe 5 persona të tjerë që hidheshin në ujë dhe që nga ajo kohë nuk i pashë më”, dëshmoi ai teksa shprehu dyshime nëse pjesëtarët e tjerë që u hodhën në ujë ishin të veshur me jelek shpëtimi.

Gjatë natës në kërkim morën pjesë 7 anije, një mjet lundrues në det të hapur dhe një helikopter.

Gjithçka nisi në orën 7 të mëngjesit të së shtunës kur kapiteni raportoi një dështim mekanik në dhomën e operacioneve të Departamentit të Transportit Tregtar.
Pas rreth 1-1.5 orë kapiteni deklaroi se anija kishte marrë një goditje dhe më pas ata transmetuan sinjalin e fatkeqësisë./albeu.com


Shtuar 27.11.2023 07:52