Dy oficerë të Policisë Metropolitane janë shpallur fajtorë për sjellje të pahijshme në një incident të diskutueshëm ndalimi dhe kërkimi që përfshin dy atletë me ngjyrë.
“Paneli zbuloi se dy oficerë, PC Jonathan Clapham dhe PC Sam Franks, kishin gënjyer për nuhatjen e kanabisit dhe si të tillë kishin shkelur standardet e sjelljes profesionale në lidhje me ndershmërinë dhe integritetin”, thuhet në deklaratën e policisë.
Sprinteri olimpik Ricardo dos Santos dhe partnerja e tij dhe atletja e ekipit të Britanisë së Madhe, Bianca Ëilliams kishin paraqitur ankesë pranë organit mbikëqyrës të policisë, duke pretenduar se ata ishin profilizuar në mënyrë racore gjatë një ndalimi dhe kontrolli “shqetësues”.
Ngjarja ndodhi në korrik të vitit 2020 kur policia e ndoqi çiftin teksa po ktheheshin në shtëpi nga stërvitja me djalin e tyre të vogël, i cili atëherë ishte tre muajsh.
Pasi arritën në pronën e tyre, Dos Santos dhe Williams u prangosën dhe iu nënshtruan kontrollit me dyshimin se mbanin drogë dhe armë. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk u gjetën sende të paligjshme.
Incidenti shkaktoi valë protestash publike, ku shumë individë dhe organizata dënuan paragjykimet e supozuara racore gjatë zbatimit të ligjit.
Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) ngriti hetime kundër 5 oficerëve, duke pretenduar se kapja e Dos Santos dhe Ëilliams ishte me motive racore dhe u konsiderua si “joproporcionale dhe e pajustifikuar”.