Itali/ Po xhironin videoklip me pistoleta e mitraloz në duar, i mituri shqiptar dhe dy të tjerë përfundojnë në polici

Xhirimet për një video muzikore me persona të armatosur dhe të veshur me të zeza, siç bëjnë shpesh terroristët islamikë, shkaktuan alarm në Viterbo të Italisë.

Skena po xhirohej në lagjen Pilastro dhe një grua kërkoi ndërhyrjen e policisë.

Komisariati i policisë, pasi ka marrë denoncimin, ka nisur menjëherë një plan të koordinuar për kontrollin e zonës, duke dërguar patrulla në terren dhe në zonat më të ndjeshme të qytetit, duke pasur parasysh edhe situatën delikate ndërkombëtare.

Kur policia mbërriti në vend, ata gjetën disa të rinj të veshur me të zeza, të cilët ishin të armatosur me një pistoletë dhe një mitraloz.

Ishin rreth 15 të rinj të cilët trembën kalimtarët.

Në realitet, sipas medieve italiane, të rinjtë po xhironin një skenë të një projekti muzikor dhe armët e tyre ishin false.

Një njëzet e shtatë vjeçar indian, një tridhjetë vjeçar moldav dhe një i mitur shqiptar u raportuan për alarm dhe posedim të pajustifikuar të armëve, të cilat më pas u sekuestruan./Albeu.com 


Shtuar 18.10.2023 13:30