Rama nuk i kursen batutat para Macron: Procesi i integrimit, më i mërzitshmi në botë! Shpresojmë që mos të na humbasë dëshira për të qeshur

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron kanë nisur konferencën e tyre për mediat, me kreun e qeverisë shqiptare që ka mbajtur fjalën hapëse.

Rama është shprehur se Shqipëria do vijojë punën dhe investimin për të qenë “Europa e Ballkanit” dhe për të qenë një vlerë e shtuar e Europës dhe një mik besnik i Francës.

Ai shtoi me tone humori se “procesi i integrimit është procesi më i mërzitshëm në botë” dhe se Shqipëria nuk e ka luksin për t’u bërë edhe vetë e mërzitshme.

“Duam ta bëjmë procesin që bashkëjetesa e mërzitshme brenda ligjit të mos na humbasë dëshirën për të qeshur, përndryshe një Shqipëri e mërzitshme nuk do ishte atraktive, sado që të sundojë ligji”, tha ai.

“Jam shumë krenar që Shqipëria arriti të presë Francën. Mund të mirëpresësh shumë francezë, por Francën e pret kur vjen i pari i vendit dhe troket në derë. Që Presidenti i Francës të vijë në Shqipëri nuk është gjë e lehtë dhe nuk ka qenë e lehtë, ndaj dhe unë jam shumë i lumtur se prania e tij konfirmon besimin se rruga e Shqipërisë drejt BE-së, është e pakthyeshme.

Sot dua ta përsëris para Presidentit se do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi një nga 6 pjesët e Ballkanit që është evropiane kur flet me Europën, por duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti ballkanik.

Do vijojmë të investojmë në këtë drejtim, pasi në fund procesi i integrimit ka vlerë për sa kohë që e transformon veten. Europa është që Europa të vijë te ne, jo të ikim ne diku. Qytetarët tanë duhet të jetojnë me standardet e Europës. Ne do bëjmë çmos që të jemi Europa e Ballkanit vit pas viti. Kemi shumë për të bërë, por duke ardhur këtu si një “rockstar” kur shkon diku për herë të parë motivon shumë fëmijë për t’i ngjarë, ju motivoni shqiptarët për të vijuar përpjekjet për t’i ngjarë Francës, Europës, jo duke imituar, por duke i brendësuar. Ne nuk mund të jemi kurrë Franca dhe s’kemi pse, por mund të jemi një vlerë e shtuar e Europës dhe një mik besnik i Francës, ku Franca të shohë jo thjesht një vend më të vogël që i përulet, por një aleat që i vlen në ditë të vështira dhe një mik që i vlen kur Franca ka nevojë për të qeshur pak më shumë.

Fundja procesi i integrimit është procesi më i mërzitshëm në botë. Nuk e kemi luksin që gjatë këtij procesi të bëhemi edhe vetë të mërzitshëm. Duam ta bëjmë procesin që bashkëjetesa e mërzitshme brenda ligjit të mos na humbasë dëshirën për të qeshur, përndryshe një Shqipëri e mërzitshme nuk do ishte atraktive, sado që të sundojë ligji. Ne duam që të kemi një ndërthurje në jetesën tonë”, u shpreh Rama.


Shtuar 17.10.2023 11:11