Vëllai i Pirro Dhimës u akuzua për doping, Presidenti i FSHP duhet të përgjigjet para CAS

Lajme interesante vijnë nga komuniteti i peshëngritjes. Pirro Dhima është në gjyq me kreun e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, për shkak të deklaratave të kreut të federatës se vëllai i Pirro Dhimës, Odisea, ishte i përfshirë në dhënien e dopingut për sportisten Vangjeli Veli, në Greqi.

Siç dihet, Veli u kap me doping vitin e kaluar dhe është e pezulluar nga federata botërore. Rasti i dopingut pati jehonë të madhe pasi komprometoi figurën e Gjozajt në krye të federatës që kishte ardhur për “fytyrë të pastër” në krye të peshëngritjes.

Që kur është rikthyer në krye të federatës ka të paktën dy raste me doping, Velin dhe Godellin. Por jehona më e madhe erdhi mbi një vit më parë, ku për shkak se akuzoi vëllain e Pirro Dhimës, të dy vëllezërit, edhe Pirro, edhe Odisea duket se e kanë hedhur në gjyq.

Pirro ndihet i fyer dhe mendon se përmendja e emrit të tij gjatë akuzimit të vëllait ka qenë e paramenduar për ta bërë pis dhe nisur nga fakti se ai ka mbajtur pozita në disa federata dhe indirekt preken edhe ato, ka vendosur ta çojë çështjen në gjyq. Informacionet tona të mbledhura nga komuniteti i peshëngritjes, na bëjnë me dije se gjyqi do të bëhet në Lozanë (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS) dhe Gjozaj rrezikon të ndëshkohet rëndë për këtë nëse nuk ka prova të implikimit minimalisht të vëllait të Pirro Dhimës.

Referuar informacionit tonë, ky gjyq do të jetë “bombë” fare, pasi pala që ka ngritur padinë është një prej sportistëve më të mëdhenj të historisë, më i madhi i peshëngritjes botërore, me katër medalje olimpike. Siç dihet, Pirro Dhima u formua si sportist në Shqipëri, zgjodhi të përfaqësojë Greqinë pas vitit 1990 dhe nën flamurin grek mori medalje ari në Barcelonë-1992, medalje ari në Atlanta-1996, medalje ari në Sidnei-2000, dhe një medalje bronzi në Athinë-2004.

Qëndrimi i Dhimos para një viti

Kampioni i shumëfishtë olimpik i peshëngritjes, njëherësh një nga sportistët më të mëdhenj të historisë, Pirro Dhima, është përfshirë në këtë çështje për të ruajtur imazhin e tij, si njeri me funksione në federatën greke, amerikane dhe botërore, por edhe të shkuarën e tij si sportist i madh. “Kemi filluar procedurat për ta çuar Elez Gjozën në gjyq, veç unë, dhe veç vëllai im Odisea.

Mund të merrej vetëm me vëllain tim, por më ka përfshirë mua me qëllim, por unë s’jam më thjesht Pirro Dhima, jam zëvendës Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes. Këtu nuk po më shan vetëm mua, por Federatën Botërore. I ndodhin gjithmonë gjërat me dopingun atij dhe e kam fajin unë, për çfarë e kam fajin unë? Do t’i shkoj deri në fund kësaj historie, kudo që kam mundësi, në Federatë Botërore, në Agjencinë e Antidopingut, do ta çojë edhe në një arbitrazh të Federatës Botërore, që është e pavarur, do të kërkoj që të mos jetë më president.

Do të bëjë ca kam në dorë që të mos e lejoj më atë njeri të hapi gojën e të thotë gjëra si këto, jo vetëm për mua por për çdo njeri. Ai flet dhe nuk respekton as sportistët as askënd”, deklaronte një vit më parë Pirro Dhima. Mbetet të shihet se si do të shkojë gjyqi në Lozanë. /SOT/


Shtuar 9.10.2023 15:21