Berisha publikon pamjet: Shikoni si kriminelët i zunë rrugën dhe tentuan të vrisninin Salvador Kaçin, po udhëtonte me të birin (VIDEO)

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi ditën e sotme pamjet e atentatit të pretenduar të përfaqësuesit të opozitës, Salvador Kaçaj në Shëngjin në datë 14 Maj, ditën e zgjedhjeve lokale.

Në pamje duket një makinë, që sipas Berishës është e Kaçajt, e cila ndiqet nga një tjetër e bardhë dhe që i pret rrugën pranë një karburanti.

Dy persona të maskuar zbresin nga makina e bardhë dhe i drejtohen automjetit që pretendohet nga Berisha se është i Kaçajt. Por po sipas ish-kryeministrit, manovrimi i shoferit, ish-gardist që duket në video që ka qenë i shpejtë, e bëri të pamundur aktin kriminal. Makina kthehet me shpejtësi dhe përmes një karburanti ndryshon kahun duke ikur.

“Në 14 maj kam denoncuar atentatin e dështuar të organizuar nga bandat kriminale ndaj ish kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvador Kaçaj. Ai po udhëtonte së bashku me të birin dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal. Atë ditë Edi Rama reagoi menjëherë me një cinizëm, me një tallje ndaj këtij akti sikur ky akt ishte një shpikje e Kaçajt dhe nuk kish ndodhur kurrë. U desh kohë që të siguronim videon e këtij akti kriminal, video që do ta paraqes sot. Video tregon se si kriminelët i zunë rrugën dhe të armatosur dolën për të kryer krimin”, tha Berisha.


Shtuar 9.10.2023 12:56