“Shqipëria dënon ashpër sulmin terrorist!”, Rama reagon për sulmi në Izrael

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me sulmin në Izrael nga militantët e Hamasit, ku raportohet se ka dhjetëra të vdekur.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama shprehet se dënon fuqishëm sulmin e mëngjesit të sotëm nga Hamasi kundër Izraelit dhe se “qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit”.

Reagimi i Ramës:

Dënoj fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin.

Grupi militant i Hamasit lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për shkak të “incidentit të sigurisë”.

Hamasi publikoi një deklaratë duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.


Shtuar 7.10.2023 14:26