Ministria e Drejtësisë në Kosovë tha të enjten se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të kompanisë amerikane “Contour Global”, e cila e kishte paditur qeverinë në Prishtinë për braktisjen e një projekti për ndërtimin e një termocentrali.
Sipas vendimit të gjykatës Kosova duhet të paguajë rreth 20 milionë euro për dëmin e shkaktuar.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë thanë se “Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC), që e detyron Republikën e Kosovës t`ia paguaj Countur Global-it shumën prej mbi 20 milionë eurosh”.
Zyrtarë të ministrisë thanë se do të sfidojnë vendimin në një gjykatë civile në Mbretërinë e Bashkuar.
Në dhjetor të vitit 2017, qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”.
Marrëveshja parashihte një investim prej 1.3 miliardë eurosh për ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr linjit, i cili do të prodhonte 500 megavat orë energji elektrike.
Në mars të vitit 2020, kompania Contour Global, bëri të ditur se ka hequr dorë nga planet për ndërtimin e termocentralit për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë. Në arsyetimin e saj ajo përmendi zgjedhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit të Kosovës, i cili “ka kundërshtuar publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e ka bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë synimet”.
Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re ishte kundërshtuar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe lëvizja Vetëvendosje. Kritikët pohonin se projekti ishte i dëmshëm për mjedisin dhe oferta parashikonte çmime të papërballueshme të energjisë elektrike për qytetarët.
Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike.
Prodhimi varet nga dy termocentrale të vjetra që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, vlerësohen të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.