David McCallum, aktori britanik që luajti një agjent sekret në vitet 1960 në serialin spiun “The Man from UNCLE” dhe një patolog në serialin amerikan të krimit NCIS (NCIS), ka vdekur në moshën 90-vjeçare.
Aktori, i lindur në Skoci, vdiq dje në një spital të Nju Jorkut i rrethuar nga familja e tij, sipas televizionit CBS, ku shfaqet seriali NCIS, në të cilin për shumë vite ka luajtur patologun Donald Mallard i njohur si Ducky.
Në njoftim thuhet se ai ishte një aktor i talentuar, autor dhe i dashur në mbarë botën.
“Ai bëri një jetë të jashtëzakonshme dhe trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë përmes familjes së tij dhe orëve të panumërta të filmit dhe televizionit që nuk do të zhduken kurrë”, thuhet në deklaratë.
Roli në “The Man from UNCLE”, në të cilin ai luajti një agjent rus, i solli atij shumë fansa. Seriali përfundoi në vitin 1968 dhe për rolin e Ilya Kuryakin në atë serial, ai u nominua vazhdimisht për një Emmy dhe një Golden Globe, raporton BBC.
Ai ka luajtur edhe në serialin amerikan “Njeriu i padukshëm”, në filmat “The Great Escape”, “The Greatest Story Ever Told” dhe “Një natë për t’u kujtuar”.