Milan Radojiçiç brenda Manastirit të Banjskës ditën e sulmit terrorist, Sveçla publikon pamjet (VIDEO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ku thotë se shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili është i sanksionuar nga ShBA’të dhe Britania e Madhe, raporton Express.

Sveçla ka thënë see Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Pamjet që ka publikuar Sveçla janë brenda Manastirit të Banjskës.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, thuhet në postimin e Sveçlës.

Ndryshe, mediumi boshnjak “Istraga” ka raportuar mbrëmë se Radojiçiq është në mesin e terroristëve që janë plagosur. Sipas këtij mediumi, ai po trajtohet në Beograd.

Mediumi raporton se në disa raste ka tentuar të kontaktojë me Radojiçiqin, por fillimisht një person i panjohur i cili është përgjigjur në telefonin e tij ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, i njëjti person ka pohuar se Radojiçiq është mirë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi dje se në automjetet që u sekuestruan në Banjskë janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiqit, që tha se dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiqit në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

“Në këto materiale, poashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që poashtu është në listën e zezë të ShBA’së, Milan Radojicic, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij në këtë aksion”, ka thënë Sveçla para gazetarëve teksa ka prezentuar armatimin që u kap dje në veri.


Shtuar 26.09.2023 13:04