Sot votohet në Kukës, rreth 46 mijë qytetarë rizgjedhin kryetarin e bashkisë

Sot, qytetarët e Kukësit do t’u drejtohen sërish qendrave të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.

Në këtë proces zgjedhor, siç njoftoi policia e Kukësit, janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.

Procesi do zhvillohet në 74 Qendra Votimi, një prej të cilave në institucionin e paraburgimit në Kukës.

Në këto zgjedhje të pjesshme do të ketë një fletë votimi, në të cilën numrin 1 e mban kandidati socialist Albert Halilaj, ndërsa i dyti renditet Emri Vata, që përfaqëson koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Në gjysmën e qendrave të votimit, katër anëtarë i përkasin Partisë Socialiste, dy PD-së zyrtare të Lulzim Bashës, i cili nuk ka kandidatë në këto zgjedhje dhe një anëtar Partisë së Lirisë.

Në 37 qendrat e tjera konfigurimi është me 3 anëtarë të PS, 3 nga PD-ja dhe një anëtar nga PL-ja.

Kukësi shkon në zgjedhje sot, pas video-skandalit seksual ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë. Prej 24 qershorit 2023 ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.

Safet Gjici akuzohet se gjatë kohës që ka qenë ish kryebashkiak i Kukësit favorizoi Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

 


Shtuar 24.09.2023 07:23