Migrimi mund të jetë një “forcë që copëton Bashkimin Evropian” për shkak të dallimeve të thella kulturore midis vendeve evropiane dhe paaftësisë së tyre afatgjatë për të arritur një politikë të përbashkët, tha kryediplomati i BE-së.
Rusia do të përpiqet të ndezë tensionet për migrimin brenda Evropës, por konflikti në Ukrainë nuk kontribuon në atë krizë, e cila është një problem prej dekadash i nxitur nga luftërat dhe varfëria në vendet nga të cilat njerëzit po ikin, beson Josep Borrell.
Komisioneri i politikës së jashtme të BE-së tha se blloku bëri mrekulli në luftë dhe është një nga forcat kyçe në krijimin e një rendi të ri botëror në të cilin jugu global meriton respekt dhe fuqi më të madhe.
Në një intervistë për “The Guardian”, duke folur për mënyrën sesi lufta e ndryshoi BE-në dhe vendin e atij blloku në rendin e ri botëror, ai tha se vendet evropiane janë të detyruara të zgjohen nga gjumi për shpenzimet e mbrojtjes.
Ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të madh ushtarak dhe vendime më të shpejta për dërgesat e armëve në Ukrainë dhe mbrojti kundërsulmin e ngadaltë, duke thënë se një e treta e vendit ishte minuar dhe se do të ishte vetëvrasje që Ukraina të nisë një kundërsulm të plotë frontal.
Në një leksion në Fakultetin Juridik të Universitetit të Nju Jorkut, ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka rezultuar se është “plotësisht i padobishëm në vitet e fundit për shkak të ndarjeve të tij” dhe bëri thirrje për reformën e institucioneve politike dhe financiare në mënyrë që të ringjallet multilateralizmi, i cili është “i vjetëruar dhe po vdes”.
Kryeministrja italiane Giorgio Meloni tha këtë të dielë se nuk do të lejojë që vendi i saj të bëhet “kampi i refugjatëve të Evropës” pasi 11,000 njerëz mbërritën në ishullin Lampedusa brenda pak ditësh.