Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë në vëmendje aksionet e operacionit “Metamorfoza”, duke u ndalur te aktivitetet kriminale të dyshuara të biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Ai ishte një njeri shumë i fuqishëm në veri të vendit. Një biznesmen të cilit i përuleshin të gjithë.
Deri edhe vetë politika në Tiranë, ku ai ia kishte dalë të imponohej dhe të shtrinte me sukses lidhjet e tij deri në rangjet më të larta të saj, aq sa të fitonte deri edhe statusin e ‘investitorit strategjik’.
Një status i shpërblyer për të nga qeveria Rama, që do ti mundësonte investimin deri në 50 milionë euro në lojërat e fatit.
Pavarësisht se e shkuara dhe e tashmja e tij, ishin të lidhura me episode të shumta të dyshimta të botës së krimit.
Ku ai përflitej se ishte njëkohësisht Zot dhe dorëzanë, i disa prej këtyre ngjarjeve kriminale të pazbardhura. Krime të paprovuara, por që do të duhej një dosje përgjimesh e mbërritur nga autoritetet franceze për llogari të SPAK, për të na rrëfyer për herë të parë të plotë disa prej mistereve të ngjarjeve të kronikës së zezë të ndodhura në veri të vendit.
Në harkun kohor të viteve të fundit.
Ky është Pëllumb Gjoka.
Profili në dukje i një biznesmeni të tërhequr, që daljet publike i ka tejet të rralla.
Personazhi që në zonën e tij njihej si ‘I forti i Velipojës’, tejet aktiv në sipërmarrjet e tij, por që mesa duket krahas punës si biznesmen i suksesshëm, fshihte pas këtij profili të nderuar edhe anën e errët të një organizatori krimesh. Por si erdhi zbulimi i aspektit kriminal të dyshuar të këtij biznesmeni?
Cili ishte gabimi që e çoi drejt fundit të tij?
Dhe pse SPAK, u kërkoi partnerëve të tij francezë, përgjimet e aplikacionit Sky ECC, i konsideruar si i pathyeshëm, për të parë se cilat ishin komunikimet e Gjokës dhe grupit të strukturuar kriminal që fshihej pas tij?
Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, gjithçka duket se nis pas kallëzimit të familjarëve të shtetases Drande Hoti Gjoka.
Një 99 vjeçare, e cila kishte lënë në testamentin e saj, një sipërfaqe toke prej 39 hektarësh në pyllin e Velipojës.
Por që në vitin 2022, familjarë të saj të afërt pjesë e testamentit, shikojnë se si ishin përjashtuar nga trashëgimia pronësore.
Kallëzim i kryer SPAK më 16 Janar 2023, nga shtetasit Lule Zefi dhe djali i saj Donald Zefi.
Të cilët pretendonin se janë trashëgimtarë të shtetases Drande Hoti dhe se pasuritë e paluajtshme të kësaj shtetaseje, me sipërfaqe prej 39 hektarësh në fshatin Pulaj, komuna Velipojë, janë tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme nga shtetasit Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë.
Do të ishte pikërisht ky episod i tjetërsimit të një sipërfaqe të tillë prone, që sipas Prokurorisë së Posaçme, do të sillte edhe zbulimin e aktivitetit kriminal të Pëllumb Gjokës, por edhe të personave të tjerë që bashkëpunonin me të.
Por përpara se të shkojmë te ky episod i fundëm i tjetërsimit të një prone, që çoi në nisjen e një hetimi ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe grupit të strukturuar kriminal që fshihej pas tij,
Zbulimi i parë tronditës që SPAK bëri me marrjen në dorë të bisedave të zhvilluara nga ky grup në aplikacionin SKY ECC, ishte zbardhja e mekanizmit të vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi që mbante edhe emrin Ndoji.
Ngjarje e ndodhur më datë 9 gusht 2020 në kryqëzimin e rrugës së fshatit Shkjezë me rrugën nacionale Shkodër-Lezhë.
Ku ai u gjet i vrarë disa metra larg makinës BMË që kishte marrë me qira.
Por çfarë lidhje ka vrasja e Gjin Boriçit me Pëllumb Gjokën dhe kush janë ekzekutuesit, që sipas gjurmëve të bisedave që ata kishin lënë në komunikimet e SKY ECC, ishin pikërisht shokë të ngushtë me viktimën?
Përse kjo mizori ndaj shokut të tyre dhe si shkuan ata për ngushëllim në familjen e mikut të ngushtë, që ata kishin vrarë pikërisht po vetë.
Mesa duket për t’i dhënë një drejtim tjetër ngjarjes.
Sipas përgjimeve të zbardhura nga SPAK, falë bisedave të kryera në aplikacionin SKY ECC, pjesëmarrës në këtë krim janë Pëllumb Gjoka, i cili në këto biseda, mban pseudonimin ‘Kolombo’.
Behar Brajoviq (Bajri), që mban disa pseudonime të njohura si ‘Daci’, ‘Lopata’ apo ‘Kapedani’
‘Deno’ apo ‘Denis’ për Denis Brajoviq (Bajri).
‘Mondi’, Edmond Preka, që rezulton të jetë shoferi i biznesmenit Pëllumb Gjoka.
‘Dori’, Klaodor Haka.
Si edhe Ervis Martinaj, i njohur me kodin ‘V’.
Martinaj, që nuk dihet për çfarë arsye, del të jetë i interesuar si personi në vetë të parë për ekzekutimin Boriçin. I cili në vazhdim të përgjimeve thotë se është gati të paguajë edhe një shumë të madhe parash për eliminimin e tij.
Por që garant për të, për vrasjen e Boriçit, del të jetë Pëllumb Gjoka.
Veprime të cilat SPAK pretendon se janë provuar para dhe pas vrasjes.
Përgjimet
Më datë 7 Gusht 2020, ora 12.23 shtetasi Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Pëllumbi i shkruan: Kur mendon?
Në orën 18. 11, Behari i shkruan: ‘Nesër mbrëma kryhet një punë dhe atëherë për një javë kryhet puna jote.
Pëllumbi i shkruan: ‘Ok vëlla’.
Siç shikohet, ky komunikim i përket datës 7 gusht 2020.
Pra dy ditë përpara se të konsumohet krimi ndaj Gjin Boriçit.
I cili nuk është në dijeni se ekzekutuesit e tij, ata që do ta nxjerrin në pritë, janë pikërisht shokët e tij të ngushtë.
Behar Brajoviq, që është krahu i armatosur i Bajrave në Shkodër, pasi e siguron Pëllumb Gjokën se kjo punë, pra vrasja e Gjin Boriçit, do të kryhet shpejt, i premton po ashtu atij se shpejt do të kryhet edhe puna e tij.
Ndërkohë që përgjatë dy ditëve grupi i ngritur për të vrarë Gjin Boriçin për llogari të Ervis Martinaj, kapet në çdo bisedë duke u kujdesur që të mos u shpëtojë asnjë detaj në lidhje me skenarin e ekzekutimit.
Më datë 9 gusht në orët e para të mëngjesit, Behar Brajoviq, këtë herë del në komunikim me Edmond Prekën.
Përgjimet
Edmondi e pyet, nëse do të marrë njeri me makinë?
Behari i shkruan që, do të marri dy veta.
Behari i tregon që makinën do ta djegin sa të kryejnë punë dhe do të ecin në këmbë, do të marri vetëm këto të dy, ti mbaj brenda diku.
Behari i tregon që, sa të kryhet ky, ikën ai kurva i Tiranës sepse kështu e kam lënë me të, me ndërrim.
Siç shikohet edhe nga komunikimi i mëposhtëm ekzekutimi i Gjin Boriçit, kryhet diku midis orës 1.00 dhe 2.00 të mëngjesit të datës 9 gusht.
Dhe besohet që në makinë me të, të ketë qenë edhe Denis Brajoviq.
Kjo me qëllim për të hequr çdo dyshim te shoku i tyre, mbi atë çfarë do t’i ndodhë pas pak.
Ndërkohë që në orën 00.27 të mëngjesit, në përgjime del edhe Ervis Martinaj, i cili komunikon me Denis Brajoviq.
Dosja Hetimore
Në orën 00.27, Ervis Martinaj komunikon me Denis Brajoviq.
(Në këtë komunikim figurojnë të regjistruara vetëm bisedat e shkruara nga Denis Brajoviq).
Denisi i shkruan: Hë vëlla, më shkruaj këtu se jam duke lënë celularin në shpi.
Tu dal jam, prit televizorin.
Në orën 01.54, Behar Brajoviq komunikon me Denis Brajoviq.
Denisi i shkruan Beharit: ‘Para e kemi”.
Në orën 01.58, Behar Brajoviq komunikon me Edmond Prekën.
Në orën 02.02, Behar Brajoviq komunikon me me Denis Brajoviq.
Denisi i shkruan Beharit: ‘Kruvi’, jemi në Bushat dhe të na presi aty ai, se jemi afër.
Pra mesa kuptohet nga biseda. ‘Kryvi’, do të thotë se Gjin Boriçi, tashmë është ekzekutuar.
Fill më pas Behar Brajoviq, kujdeset që të vendosë në dijeni menjëherë edhe Pëllumb Gjokën.
I cili pasi mëson që puna u krye me sukses, nuk harron që ti çojë viktimës, sipas mënyrës së tij të fala.
Dosja Hetimore
Në orën 02.24, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Ky i fundit i tregon që ishte në gjumë ndërsa Behari i tregon që u kry, tani presim atë tëndin. Atë që desh ti ai u kry, Ginin deshti ai…
Pëllumbi shprehet: …Ok vëlla, kjoft me Zotin, futja gjumit…
Por duket se grupi vrasës nuk ka gjumë.
Vetëm një orë pasi është kryer ekzekutimi, Denis Brajoviq, kapet në përgjim, duke biseduar me Behar Brajoviq.
Ku i tregon këtij të fundit, se si e qëlloi pa mëshirë Gjin Boriçin.
Po kështu Denis Brajoviq, bisedon edhe me Ervis Martinaj.
Ku është i interesuar të di, nëse doli apo jo në lajme vrasja.
Dhe çfarë thuhet për këtë vrasje.
Dosja Hetimore
Në orën 02.43, Behar Brajoviq komunikon me Denis Brajoviq.
Denisi i shkruan: ‘Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka’.
Në orën 02.45, Ervis Martinaj komunikon me Denis Brajoviq.
Denisi i shkruan: A dha gjë tv?
Nata duket e gjatë dhe e pagjumë për ekzekutuesit dhe porositësit e vrasjes.
Siç del me vonë nga komunikimet që zhvillohen ne orën 3.00 të mëngjesit, Ervis Martinaj, kujdeset edhe njëherë nëse çunat e kanë djegur si duhet makinën, me qëllim që të mos lënë asnjë gjurmë.
Pas disa komunikimeve të ndërsjella, grupi më në fund vendos të marrë një sy gjumë. Tashmë të qetë se punën e kishin kryer dhe se çdo gjë kishte shkuar sipas parashikimeve. Komunikimet e tyre fillojnë sërish në mëngjesin e herët të datës 9 gusht. Ku tashmë ata organizohen të takohen së bashku, larg syve të njerëzve.
Ku i pranishëm midis tyre është edhe ‘V’, i identifikuar si Ervis Martinaj.
Dosja Hetimore
Në orën 11.47, Klodor Haka komunikon me Behar Brajoviq.
Klodori i shkruan: ‘Jam duke ardh me ‘V’ andej se don me ardh te ti. Direkt tani po nisem.
Në orën 12.28, Edmond Preka komunikon me Pëllumb Gjokën, të cilit i tregon që është duke ardh ‘Lopata’ (Behar Brajoviq).
Pëllumbi i thotë: ‘Po rrim te ara, thuj se këtu ka shumë njerëz.
Ky është edhe momenti kur Pëllumb Gjoka hyn në komunikim me Ardrit Hasanbegaj.
Që në këtë kohë mbulon detyrën e shefit të krimeve në Drejtorinë e Policisë Shkodër.
Gjoka në këtë rast, është i interesuar të dijë çfarë ka zbuluar policia në lidhje me vrasjen e Gjin Boriçit.
Bisedë që zhvillohet midis tyre më datë 9 gusht, vetëm disa orë pas kryerjes së vrasjes.
Dosja Hetimore
Në orën 14.49, Pëllumb Gjoka komunikon me Ardrit Hasanbegaj.
Pëllumbi e pyet: ‘Çfarë ishte ajo e mbrëmshmja (vrasja e Gjin Ndoj)’.
Ardriti i përgjigjet: Nuk e di, paska qenë me hasmëri, për punën e një vëllai.
Plus paska qenë kollarexhi.
Pëllumbi e pyet: Si duket si dorë?
Ardriti i përgjigjet: Ka punuar mirë kopili dhe si duket kanë qenë dy ose më shumë.
Të vështirë do e kemi, por besoj do të nxjerrim diçka.
Por nga biseda në vazhdim, Pëllumb Gjoka kujdeset te shefi i Krimeve në Shkodër, që të mos i hyjnë më thellë këtij hetimi.
Madje ai mëson gjatë kësaj bisede se si vëllai i viktimës paska takuar Dorian Dulin.
Shok i ngushtë me Gjin Boriçin, njëkohësisht një nga eksponentët më të frikshëm të krimit në Shkodër dhe lidhje e afërt e Ibrahim Licit, kundërshtar i përbetuar i Bajrave.
Për të cilin Gjoka kërkon informacione të vazhdueshme nga Ardrit Hasanbegaj se cila është përditshmëria e tij.
Dosja Hetimore
Pëllumbi i thotë: Lëreni në kollaren e vet.
Në orën 17.09, Pëllumb Gjoka komunikon sërish me Ardrit Hasanbegaj dhe ky i fundit e pyet nëse e njihte Dorian Dulin, sepse vëllai i këtij e ka takuar.
Pëllumbi shprehet: Këta të vrasin dhe të vijnë dhe me u pjek.
Pëllumbi shkruan: Ardrit nëse ke info për Dorin më thuaj.
Por duket se Dorian Duli është një armik i betuar për Pëllumb Gjokën dhe Behar Brajoviq.
Të cilët ndërkohë mësojnë se Duli është mik i ngushtë me viktimën Gjin Ndoji.
Dhe se për gjatë gjithë kohës ai qëndron në shtëpinë e mikut të tij të vrarë në pritë.
Urrejtja për Dulin duket se është aq e fortë nga grupi kundërshtar dhe konkretisht Behar Bajroviq, sa ky i fundit mendon se mund ta vrasë edhe në varrimin e Boriçit.
Më datë 10 gusht, vetëm një ditë pasi bashkërisht kanë kryer vrasjen e shokut të tyre Gjin Boriçi, vrasje që del e porositur nga Ervis Martinaj, Behar Bajroviq, mësohet se ka shkuar për ngushëllime më shtëpinë e shokut të tij të ngushtë.
Bisedë të cilën e konsumon edhe me Pëllumb Gjokën.
Dosja Hetimore
Në orën 12.47, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Ky i fundit i tregon që, isha në varrim, por nejtëm larg, vetëm sa i dhamë dorën në fund.
Dori (Dorian Duli) nuk ishte.
Por duket se Pëllumb Gjoka në rolin e regjisorit të ekzekutimit të Gjin Boriçit, sipas SPAK e ka kryer këtë vrasje për llogari të Ervis Martinaj,
Në këmbim të një tjetër vrasje që këtë herë i interesonte vetë biznesmenit.
Sipas dosjes ‘Metamorfoza’, Mbreti i Kumarit Ervis Martinaj, ishte gati të ofronte edhe 100 mijë euro për vrasjen e Gjin Boriçit, të cilin e donte të ekzekutuar me çdo kusht.
Qoftë edhe kundrejt një shume të tillë të majme parash.
Kërkesë që duket se e i ka rënë në vesh edhe biznesmenit Pëllumb Gjoka.
I cili ndërkohë po merrej edhe vetë me një larje të vjetër hesapesh. Duke i ofruar Ervis Martinaj këtë herë falas vrasjen e Gjin Boriçit, në këmbim që mbreti i bixhozit ti hiqte qafe Pëllumb Gjokës njeriun që kishte kohë që e kishte vënë në shënjestër.
Pra, një formë krimi me clering.
Ky person të cilin Pëllumb Gjoka e donte me patjetër të vdekur dhe mundësisht brenda pak kohësh, ishte Kleanti Musabelli.
I cili gjatë një sherri të ndodhur midis tij dhe Gjokës, më datë 11 Shtator 2017, në një kafe në qendër të Tiranës, në ikje e sipër kishte plagosur me armë zjarri në këmbë, biznesmenin.
Por ndërsa Pëllumb Gjoka duket se e ka falur Musabellin duke hequr dorë nga e drejta e ankimit në lidhje me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Tiranës ndaj këtij të fundit, duket se biznesmeni kishte në kokë një skenar tjetër.
Atë të lënies lirë të Musabellit, me qëllim për ta ekzekutuar, në momentin kur ky i fundit të mendonte se çdo gjë tashmë i përkiste të kaluarës.
Pasi Pëllumb Gjoka dhe grupi i tij kanë kryer punë me Gjin Boriçin për llogari të Ervis Martinaj, sipas dakordësisë me njëri-tjetrin, tashmë është ky i fundit që duhet të ngrejë këmbëzën e armës dhe të vrasë Kleanti Musabelli.
Është akoma e paqartë se kur Gjoka dhe Martinaj kanë rënë në dakordësi për këtë këmbim viktimash, por nga bisedat në SKY ECC, ndjekja e Kleanti Musabelli, duket se ka filluar që në muajin qershor 2020.
Pra dy muaj para se të vritet Gjin Boriçi.
Ku edhe këtë herë, në shërbim për të kryer ekzekutimin e Kleanti Musabelli është i njëjti grup ekzekutorësh, që më pas kryen edhe vrasjen e Boriçit.
Për shkak se vrasja e Musabelliut nuk po realizohej ne kohë, në lojë futet Behar Brajoviq.
I cili duket se i ka një borxh të madh moral Pëllumb Gjokës.
Pasi ky i fundit del se e ka shpëtuar nga burgimi afatgjatë duke korruptuar prokurorin Xhevahir Lita.
Dhe për këtë arsye i ofrohet Pëllumb Gjokës, t’ia bëjë për qejf vrasjen e Kleanti Musabelli.
Dosja Hetimore
Më datë 7 Korrik 2020, në orën 11.57, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Pëllumbi i shkruan: Vëlla, nëse edhe një javë nuk më vjen dikush që jam duke prit, a ma gjen një për me mbaru një punë në Tiranë.
Behari e pyet: A po thua për atë, për punën tënde?
Pëllumbi i përgjigjet: Po.
Behari i shkruan: Atë punë ta kryej unë vetë, nuk ke nevojë me i thënë kërkujt, vetëm leji një njeri në shpinë, se ku rrin.
Du me ta kry, për qef.
Pëllumbi i pèrgjigjet: Jo vëlla, nuk bëhet falas, duhet ndonjë që është larg.
Pëllumbi i shkruan: Është i falur, është në rrugë të madhe.
Ja tregon ku është dhe rrugën komplet.
Behari i shkruan: Me ta kry unë për qef, dhe nuk ke detyrim hiç.
Pëllumbi i shkruan: Jo vëlla nuk është punë për ty, vetëm lekët atyne dhe mos ti kesh afër hiç.
Ajo që mbetet e paqartë në këtë ngjarje, është fakti përse grupi dështoi në vrasjen e Kleanti Musabelli.
Edhe pse Pëllumb Gjoka është i gatshëm të japë shuma të mëdha parash për ta eliminuar me çdo kusht.
Dosja Hetimore
Më datë 9 Korrik 2020 ora 09.30, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën. Behari i shkruan: Unë fola për atë punën tënde dhe më thanë sa paguan.
Pëllumbi i shkruan: 80-90-100.
Del në rrugë të madhe, është i falur.
Behari i shkruan: 100 kërkojnë këto kurva, ose të ta kryej unë.
Pëllumbi i shkruan: 100 me ju dhënë vlla.
Pasi Behar Bajroviq i premton Pëllumb Gjokës se do ta organizojë ai vrasjen, në një tjetër bisedë ai lë të kuptohet se në Tiranë për këtë qëllim kanë ardhur disa kosovarë.
Dosja Hetimore
Më datë 10 Korrik 2020, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Behari i shkruan: ‘Më kanë ardhur disa shokë nga Kosova dhe atë punën tënde e kryejmë. Ose vjen një serb, ose një kosovar. Kena dhe një arab.
Pëllumbi i shkruan: ‘Vëlla mund ti sjell dhe unë serb dhe kosovarë, por duan shofer.
Behari i shkruan: ‘E kam unë shoferin vëlla, e kam shqiptar, mos e vra mendjen.
Arabi e kryen edhe me ftyrë. për këtë punë i kam thirr.
Në një tjetër bisedë, Pëllumb Gjoka, del se i lutet Behar Brajoviq, që mundësish Kleanti Musabelli, ta vrasë bashkë me të vëllain.
Por jo me djalin, apo me familjarë të tjerë.
Por siç konstatohet nga bisedat, muaji gusht duket intensiv për grupin.
Të cilët ndërkohë që janë vënë në gjueti për të vrarë Kleanti Musabelli, po përgatiten ti japin goditjen fatale Gjin Boriçit.
Ku në këtë bisedë të mëposhtme, Behar Brajoviq i shkruan Pëllumb Gjokës se puna e tij me Kleanti Musabelli do të kryhet së shpejti, sa të mbarojmë një punë këto ditë.
Duke nënkuptuar ekzekutimin e Gjin Boriçit.
Dosja Hetimore
Më datë 7 Gusht 2020 ora 12.23, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Pëllumbi i shkruan: Kur mendon?
Në orën 18.11, Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Behari i shkruan: Nesër mbrëma kryhet një punë dhe atë herë për një javë kryhet puna jote.
Nga bisedat e mëtejshme del se personi i kontaktit me Ervis Martinaj, që duket se ka hyrë në lojë për të vrarë Kleanti Musabelli për llogari të Pëllumb Gjokës, është Klodor Haka.
I cili merret personalisht me ndjekjen dhe grupin e kontraktuar për të kryer ekzekutimin.
Nga bisedat e dokumentuara në aplikacionin Sky ECC, Behar Brajoviq, i premton Pëllumb Gjokës se puna e Kleantit do të kryhet para datës 1 shtator.
Dosja Hetimore
Në orën 21.27 Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.
Behari i shkruan: Deri ditën e diel mos hajde ne Tiranë sepse do kryhet. Të hënën mundesh me ardh.
Behari e pyet: E don sakat apo të vdekur se unë ju kam thënë të vdekur, por thashë të të pyes një herë.
Pëllumbi i përgjigjet: Të vdekur vëlla.
Bisedat mbi vrasjen e mundshme të Kleanti Musabelli, mbyllen këtu dhe është e paqartë përse grupi ekzekutues i ngritur nga Pëllumb Gjoka nuk e kreu këtë punë deri në fund.
Madje po kaq e paqartë është edhe arsyeja përse Ervis Martinaj, i cili del se kishte marrë përsipër këtë vrasje për llogari të Pëllumb Gjokës, në këmbim të vrasjes së Gjin Boriçit, nuk e përfundoi këtë punë.
Dhe çfarë ndodhi midis tij dhe Pëllumb Gjokës.
Por ndërkohë që Pëllumb Gjoka i ishte vënë nga pas për të vrarë Kleanti Musabelli dhe sakaq ishte kryer ekzekutimi i Gjin Boriçit, interesante në dosjen ‘Metaformoza’, janë edhe një seri përgjimesh.
Ku këtë herë Pëllumb Gjoka dhe të tijët, janë të interesuar të eliminojnë disa prej të fortëve të Shkodrës.
Në këtë rast Dorian Dulin që del të jetë edhe miku i Gjin Boriçit të vrarë, Ibrahim Licin një tjetër personazh problematik i botës së krimit në veri të Shqipërisë, por edhe Genc Tafilin, ky i fundit i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit, por që atëkohë ishte liruar më kusht.
Ku këtë herë ai që del i interesuar për ti vrarë këta persona është Behar Brajoviq.
I cili sipas hetimeve del se ka dyshime se këta tre personazhe, janë të përfshirë në disa prej ngjarjeve kriminale ndaj njerëzve të tij. Edhe kjo ndjekje bëhet gjatë kohës kur Pëllumb Gjoka dhe të tijtë me në krye Behar Brajoviq, i ishin vënë pas për të vrarë Kleanti Musabelli dhe po përgatiteshin për të vrarë, Gjin Boriçin.