Presidenti ukrainas njoftoi se ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, do të zëvendësohet gjatë kësaj jave me ligjvënësit tatar të Krimesë, Rustem Umerov.
Volodymyr Zelensky e bëri këtë njoftim më 3 shtator përmes një postimi në Telegram, duke thënë se udhëheqja e re në Ministrinë e Mbrojtjes ishte e nevojshme pasi Reznikov ka kaluar nëpër “më shumë se 550 ditë të një lufte të shkallës së gjerë”.
Ndërkaq, më vonë përmes një adresimi, Zelensky tha se beson se “Ministria ka nevojë për një qasje të re dhe forma të tjera të ndërveprimit, si me ushtrinë, ashtu edhe me shoqërinë”.
“Parlamenti i Ukrainës e ka një person të tillë dhe Umerov nuk ka nevojë që të prezantohet. Pres që kandidatura e tij të ketë mbështetjen e Parlamentit”, tha Zelensky.
Umerov, 41 vjeç, është një politikan nga partia opozitare Holos. Që nga shtatori i vitit 2022, ai ka shërbyer si kryetar i Fondit shtetëror të Pronave. Ai ka qenë i përfshirë në këmbimin e të burgosurve të luftës, të të burgosurve politikë, fëmijëve dhe civilëve, si dhe në evakuimin e civilëve nga territoret e pushtuara. Umerov po ashtu ishte pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë sa i përket marrëveshjes së drithërave, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.
Shkarkimi i Reznikovit vjen pas një skandali lidhur me prokurimin e xhaketave ushtarake nga Ministria e Mbrojtjes. Në gusht, gazetarët ukrainas raportuan se këto materiale ishin blerë me një çmim trefish më të lartë dhe në vend të xhaketave dimërore ishin blerë xhaketa verore. Në dokumentet doganore për blerjen e këtyre produkteve, një xhaketë thuhej se kishte çmimin prej 29 dollarësh, por Ministria ukrainase e Mbrojtjes kishte paguar 86 dollarë për copë. Reznikov javën e kaluar gjatë një konference për media mohoi të gjitha akuzat.
Më 3 shtator, presidenti amerikan, Joe Biden, u tha gazetarëve se ishte në dijeni që Zelensky do të zëvendësonte shefin e tij të mbrojtjes. I pyetur nga gazetarët që të komentonte këtë zhvillim, Biden tha se nuk “do të komentoj publikisht”.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore mbështesin Ukrainën e cila po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.