Valter Çela, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë.
Policia bën me dije se arrestimi i 40-vjeçarit është bërë me qëllim ekstradimin në Itali.
“Gjatë operacionit policor të koduar “Perugia”, në rrugën “Frosina Plaku”, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe ndaluar shtetasin Valter Çela, 40 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Perugia, Itali, e ka dënuar me 5 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 2 vjet e 9 muaj.
Ai akuzohet për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike”, (kryesisht kokainë), “Mbajtje, prodhim, shpërndarje të sasive të mëdha të lëndëve narkotike” (kokainë), kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. /Albeu.com