“Dëmi mbi 200 milionë lekë”, SPAK çon për gjykim ish-kreun e bashkisë Fushë-Arrëz dhe administratorin e Iballës

Prokuroria e Posaçme e SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e bashkisë së Fushë Arrëzit Fran Tucin, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Njoftimi i SPAK 

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 67 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

Fran Tuci, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

 Ndoc Marku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Durim Margjekaj, akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pgf 4 i Kodit Penal.

Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se është e provuar që të pandehurit Fran Tuci dhe Ndoc Marku, në bashkëpunim mes tyre, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz.

Ndërsa i pandehuri Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz.

Dy ditë më parë Tuci u transferua në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.

Ai ndodhet në paraburgimin e Recit në Shkodër.

Arrestimi:

Ish-kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit, Fran Tuci u arrestua mbrëmjen e 12 korrikut 2023 me urdhër të SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të abuzimeve të dyshuara me tenderin e një rruge.

Në pranga për shpërdorim detyre ra edhe administratori i njësisë Iballë në Pukë, Ndoc Marku, ndërsa në kërkim u shpall biznesmeni Durim Markgjekaj, i akuzuar për shkatërrim prone.

Objekt i hetimit të nisur në Pukë që i kaloi më pas SPAK-ut, sipas prokurorisë ka qenë procedura për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë-Arrëz.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin e këtij fondi pyjor”, thuhet në dosje.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

“Ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Iballë, Ndoc Marku me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar nga autoritetet kompetente”, thuhet në dosje.

SPAK thekson se punimet janë kryer nga Durim Markgjekaj, ndaj të cilit është vendosur masa detyrim paraqitje pasi duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Arrestimi i Fran Tucit u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit.

Masat e sigurisë për të dhe administratorin e njësisë Iballë u ekzekutuan më 12 dhe 13 korrik, ndërsa hetimet vijojnë në kuadër të procedimit penal nr. 67  të vitit 2023.


Shtuar 16.08.2023 09:33