Nga Walter Mayr “Der Spiegel”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ai është një burrë shteti gjigant. Për këtë nuk ka dyshime. Presidenti i Serbisë është mbi 2 metra i gjatë. Vetëm se në biseda, Aleksandar Vucic mundohet të duket paksa më i vogël se sa është në të vërtetë. Ai i zgjedh vazhdimisht fjalët e tij, në mënyrë që të tingëllojnë sikur e pranon me përulësi se dikush i është veçanërisht mirënjohës për shërbimet e tij ndaj vendit dhe rajonit.
Presidenti serb e sheh veten si një garantues të paqes në Ballkanin Perëndimor. Por ata që kuptojnë pak serbisht dhe janë në gjendje të lexojnë midis rreshtave, dhe ata që shohin përtej propagandës së mediave pro-regjimit mund të arrijnë në një përfundim krejt tjetër.
Pra që Vucic i ka të gjitha karakteristikat e një nxitësi të konflikteve. Për muaj të tërë, dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar në Beograd dhe qytete të tjera të vendit kundër presidentit autokratik dhe kundër atmosferës së tensionuar në vend, të acaruar kryesisht nga mediat pro tij.
Në fillim të majit ndodhën 2 masakra brenda 2 ditëve me 18 të vrarë. Ato shkaktuan një zemërim të madh publik ndaj presidentit, të cilin aktivistja për të drejtat e njeriut Sonja Biserko e akuzon se i ka shkatërruar institucionet shtetërore të Serbisë.
Në këto kushte, strategjia e politikës së jashtme të Vucic nuk është gjë tjetër veçse një akt balancues. Ndonëse e thekson rëndësinë që kanë marrëdhëniet e Serbisë me Brukselin dhe Uashingtonin, ai kultivon lidhje të ngushta si me Moskën po ashtu edhe me Pekinin. Beogradi vazhdon të mos i bashkohet pjesëmarrjes në sanksionet që Perëndimi ka vendosur kundër Rusisë në përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, teksa janë në rritje kërcënimet ndaj aktivistëve të opozitës ruse që janë strehuar në Serbi. Gjatë gjithë kohës, situata në rajon duket se po del jashtë kontrollit.
Në Kosovë, dhjetëra ushtarë të NATO-s pjesëmarrës në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë u plagosën në fund të majit gjatë përleshjeve fizike me pjesëtarët e pakicës serbe besnike ndaj Vucic. Në Bosnje, një referendum që pritet të mbahet brenda këtij vitit do të përcaktojë nëse do të shkëputet nga federata rajoni me pakicë serbe i Republika Srpska (RS).
Dhe në shtetin anëtar të NATO-s, Mali i Zi, pushtetin po e marrin forcat me prirje nga Serbia. Në kundërpërgjigje Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar presionin ndaj Beogradit. Në fillim të javës së kaluar, 4 politikanë të rangut të lartë të RS u vendosën në listën e sanksioneve, përfshirë përfaqësuesin serb në presidencën boshnjake.
Sanksioneve të ngjashme janë vendosur për Aleksandar Vulin, kreun e shërbimit sekret serb.
Sipas një deklarate në muajin korrik të Departamentit Amerikan të Thesarit, i cili vendosi sanksionet, Vulin është i përfshirë në “operacione të krimit të organizuar transnacional dhe trafik droge”.
Për më tepër, ai ka mbështetur “aktivitetet dashakeqe të Rusisë, të cilat po e degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”. Vulin konsiderohet si një zëdhënës i presidentit Vucic dhe mbështetës i konceptit të “Bota Serbe”.
“E vetmja mundësi për stabilitet në Ballkan është nëse të gjithë serbët jetojnë së bashku në një komb të vetëm. Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë me diskriminimin ndaj serbëve”-është shprehur Vulin. Ai thotë atë për të cilën vetë presidenti serb nuk mund të jetë aq i hapur: që regjimi serb po punon për marrëdhënie më të ngushta mes të gjithë serbëve, brenda dhe jashtë kufijve të vendit.
Versioni i Kremlinit i “Botës Serbe” quhet “Bota Ruse”, dhe ka shërbyer si justifikim i Vladimir Putin për pushtimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës. A po e përdor Moska Vucic si një mjet për ta përhapur destabilitetin përtej Ukrainës dhe në zemër të Evropës? Sondazhet lënë të kuptohet se një strategji e tillë mund të japë frytet e veta.
Pavarësisht se negociatat e Beograd-Brukseli po vazhdojnë prej gati një dekade, më shumë se gjysma e qytetarëve serbë thonë se do të votonin kundër anëtarësimit në BE nëse mbahet një referendum. Për më tepër, 45 për qind e të anketuarve në një sondazh në qershor të kryer nga Demostat, thonë se Putin është lideri më i mirë botëror, i pasuar nga presidenti kinez Xi Jinping.
Vucic e sheh veten si një avokat për të gjithë serbët, përfshirë ata që jetojnë në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Kisha e fuqishme Ortodokse Serbe luan një rol qendror në aritmetikën e tij, duke pasur parasysh lidhjet e forta që ruan me 15 milionë serbët ortodoksë që jetojnë në mbarë botën.
Rrjedhimisht ai mban lidhje të ngushta me të njëjtët klerikë si despoti Slobodan Miloshevic, që në vitet 1990 ishte vetë një adhurues i ideologjisë së Serbisë së Madhe. Edhe në regjimin e Milosevic, Vucic ishte në qeveri si Ministër i Informacionit.
Dhe sa herë që Vucic ndjen presion nga brenda vendit përgjigjet duke aktivizuar përkrahësit e tij të prirur ndaj dhunës në rajonin me shumicë serbe të Kosovës Veriore. Krahina, dikur nën kontrollin e Beogradit, e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia, Rusia dhe Kina – së bashku me 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian të kryesuar nga Spanja – nuk e kanë njohur ende këtë akt.
Kosova është nyja gordiane në tapicerinë evropiane dhe karta i Vucic në luftën për epërsi në Ballkan. Legjione diplomatësh nga Brukseli dhe Uashingtoni nuk kanë arritur të zgjidhin ngërçin dhe Vucic nuk është i etur të heqë dorë nga pazari i tij nëse oferta nuk është e drejtë.
Janë të ashtuquajturit stabilokratë si Vucic, tek të cilët diplomatët perëndimorë janë mbështetur për dekada me shpresën për të shmangur përsëritjen e luftimeve të përgjakshme që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Përmes marrëveshjes së asociimit të Serbisë me BE-në, Partia Progresive Serbe e Vucic është mirëpritur në grupin konservator të Partisë Popullore Evropiane.
I njëjti Vucic ka mbrojtur publikisht në të kaluarën të dënuarin për krime lufte Ratko Mladic. Dhe si deputet në vitin 1995 kërcënoi se “për çdo serb të vrarë do të vrasim 100 myslimanë”.
A ka ndryshuar që atëherë ai? Në vitin 2015, në postin e kryeministrit, Vucic zhvilloi një vizitë në varrezat e mëdha në periferi të Srebrenicës.
Gati 7000 myslimanë janë varrosur atje, të vrarë nga ushtarët serbë dhe pjesëtarët e milicisë. Gjatë vizitës, kreut të qeverisë së Serbisë iu desh të ikte me nxitim për shkak të zemërimit të familjarëve të viktimave. Ai flet për një “krizë të madhe dhe serioze” në Bosnje por nuk jep asnjë shenjë se si synon të ndihmojë në zgjidhjen e saj.
Gjatë një takimi në Beograd me Milorad Dodik më 20 korrik, dyshohet se u diskutuan çështje me “rëndësi kombëtare për popullin serb”. Situata duket më shumë sikur është pranë një konflikti të ri. Ndërkohë në Malin e Zi në regjistrimin e fundit, 32 për qind e njerëzve u deklaruan si serbë.
Ky numër pritet të rritet dhe mediat nën kontrollin e Beogradit po bëjnë pjesën e tyre. Llogaritë e Beogradit janë të qarta: sa më i madh të jetë numri i serbëve në Malin e Zi, aq më e justifikueshme është dëshira serbe për t’i mbrojtur ata dhe për të folur në emër të së ardhmes së tyre.
Është saktësisht e njëjta qasje strategjike që përdor Putini kur bëhej fjalë për qytetarët rusë në Gjeorgji, Donbas dhe në Gadishullin e Krimesë. Gjatë vizitës së tij të parë në Beograd në korrik, presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatovic, që mendohet se ka prirje pro-serbe, ngriti një dolli me Vucic.
Të dy treguan miqësinë e ndërsjellë, duke i dhënë fund epokës së gjatë të marrëdhënie të ftohta diplomatike mes dy vendeve gjatë udhëheqjes së Milo Djukanović. Presidenti do të dështojë nëse nuk zgjidh të paktën çështjen e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, tha në nëntor 2022 Jelena Obućina, moderatorja e njohur e lajmeve për Nova S, një televizion kritik ndaj qeverisë. Të nesërmen, ajo nisi të merrte kërcënime me vdekje. Autori i kërcënimit u zbulua dhe u dërgua në gjykatë, ku u ul pikërisht pranë gazetares. Ai nuk është dënuar ende.
Marrë me shkurtime
/albeu.com