Barazim me gola në 90’, Juventusi fiton me penallti ndaj Milanit

Juventusi dhe Milani u përballen mes tyre në një miqësore në Kaliforni, sfidë që në fund u fitua nga bardhezinjtë e Allegrit pas goditjeve të penalltive.

Koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2. Gjermani Malick Thiaw kaloi Milanin në avantazh falë një goli me kokë (23’), por Juventusi barazoi dhjetë minuta më vonë me anë të brazilianit Danilos.

Festa e bardhezinjve zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Oliver Giroud riktheu skuadrën e Piolit në avantazh. Juvja reagoi sërish sapo filloi pjesa e dytë.

Përsëri një mbrojtës, përsëri gol me kokë. Daniele Rugani shtangu Mike Maignan dhe vendosi barazimin 2-2.

Penalltitë prodhuan emocione, me portierët Carlo Pinsoglio dhe Marco Sportiello që kryen disa pritje të bukura.

Në fund festuan bardhezinjtë, ndërkohë që nga ana e Milanit gabuan Romero, Pobega dhe 17-vjeçari Bartesaghi.

“Zonja” luan miqësoren e radhës në tokën amerikane përballë Real Madrid (3 gusht), teksa “Djalli” do të sfidojë Barcelonën (2 gusht)./SuperSport


Shtuar 28.07.2023 10:37