KLP bën emërimet e rëndësishme në dy prokurori, kush janë emrat e rinj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje ku ka bërë dy emërime të rëndësishme në krye të prokurorisë së Durrësit dhe prokurorinë e Apelit të Tiranës.

Në krye të prokurorisë së Durrësit është vendosur Anita Jella, ndërkohë që në krye të prokurorisë së apelit në Tiranë është vendosur Genti Xholi.

Pjesë nga njoftimi i KLP-së për mbledhjen e sotme:

Në përfundim të procedurave për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli vendosi unanimisht të caktojë znj. Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3 (tre ) vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Sot, me emërimin e të dy drejtueseve, Këshilli vendosi të ndërpresë caktimet e përkohshme si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Deri tani, Këshilli ka arritur të emërojë në detyrë 4 (katër)  Drejtues prokurorie; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.


Shtuar 25.05.2021 13:32