Burime bëjnë me dije se mbledhja e Asamblesë ka si synim bërjen e një analize të detajuar për zgjedhjet e 14 majit.
“Përshëndetje! Ju njoftojmë se ditën e Mërkurë dt. 26 Korrik 2023, ora 17:30, në mjediset e Xibrakut do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Ju lutem konfirmoni prezencën. Faleminderit!”, shkruhet në mesazhin që iu ka shkuar anëtarëve të Asamblesë Socialiste.
Gjithashtu një tjetër pikë në fokus të diskutimeve do të jetë dhe analiza e punës dhe performancës së çdo ministrie.
Ende nuk dihet nëse në këtë mbledhje do të ketë diskutime për ndryshime në qeveri, pasi prej kohësh flitet se kryeministri Rama ka menduar të largojë disa nga ministrat e tij, por nëse kjo nuk ndodh ditën e mërkurë, mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në shtator.
Ndërkohë mësohet se pjesën më të madhe të kohës gjatë mbledhjes së Asamblesë ta zërë fjalimi i kryeministrit Edi Rama i cili është njëherësh edhe kryetari i PS.
Po ashtu në këtë mbledhje do të diskutohet dhe analizohet edhe puna e organizatave dhe strukturave të larta të Partisë Socialiste. /AlbEu.com