SHBA: Wagner nuk ka më rol të madh në Ukrainë

Grupi mercenar Wagner nuk është më “pjesëmarrës në ndonjë kapacitet të rëndësishëm në mbështetjen e operacioneve luftarake në Ukrainë”, ka thënë një zëdhënës i Pentagonit.

Kjo deklaratë vjen disa javë pas rebelimit 24-orësh të grupit mercenar në Rusi, që sfidoi autoritetin e presidentit rus, Vladimir Putinit.

Wagner besohet se e kishte ndihmuar Rusinë ta aneksojë Krimenë në vitin 2014 dhe ka luftuar në disa nga betejat më të përgjakshme së fundi.

Ky grup luajti rol të rëndësishëm në kapjen e qytetit në lindje të Ukrainës, Bahmutit, për Rusinë.

Sipas marrëveshjes që i dha fund rebelimit të qershorit, luftëtarëve të Wagnerit iu tha se mund të bashkohen me ushtrinë e rregullt ruse ose të shkojnë në Bjellorusi me shefin e tyre, Yevgeny Prigozhinin.

Por, në fillim të kësaj jave, Kremlini tha se Putin ishte takuar me Prigozhinin në Moskë vetëm disa ditë pas kryengritjes.

Putin këmbëngul se, gjatë atij takimi, ua bëri të qartë ofertën e tij luftëtarëve të Wagnerit.

Duke folur për të përditshmen ruse Kommersant më 13 korrik, ai tha se ata e kishin mundësinë të “vazhdonin shërbimin e tyre” për ushtrinë e rregullt ruse.

“Ata do të ishin udhëhequr nga personi që ka qenë komandanti i tyre i vërtetë gjatë gjithë kësaj kohe”, shtoi Putin, duke iu referuar vetes.

Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte kornizë ligjore për organizatat private ushtarake, duke thënë se “Wagner nuk ekziston”.

Më 13 korrik, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi në Finlandë se Prighozini duhet të ketë kujdes nga një helmim potencial pas rebelimit.

“Vetëm Zoti e di se çfarë mund të bëjë ai. Ne nuk jemi as të sigurt se ku është dhe çfarë marrëdhëniesh ka [me Putinin]. Po të isha ai, do të kisha kujdes se çfarë ha. Do të mbaja sytë në menynë time”, tha Biden.

Duke folur pas një samiti me liderët nordikë në Helsinki, ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë mundësi që Putini të fitonte luftën në Ukrainë.

“Ai tashmë e ka humbur atë luftë”, tha presidenti amerikan.

Biden sugjeroi se presidenti rus përfundimisht do të “vendoste se nuk është në interesin e Rusisë, ekonomikisht apo politikisht për ta vazhduar këtë luftë. Por, unë nuk mund ta parashikoj saktësisht se si [mund të] ndodhë kjo”.

Ai shprehu gjithashtu “shpresën dhe pritshmërinë” që Ukraina do të bënte përparim në kundërofensivën e saj aktuale. Por, më shumë se një muaj pas kundër-ofensive të planifikuar prej kohësh ukrainase, disa ukrainas dhe aleatët e tyre po shprehin shqetësime për përparimin e ngadaltë të trupave të Kievit.

Të tjerë besojnë se mbrojtja e Rusisë përfundimisht do të shkatërrohet, duke ia mundësuar Ukrainës ta kapë një territor të rëndësishëm strategjik dhe të përparojë drejt Krimesë së pushtuar nga Rusia.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh nga aleatët perëndimorë që të ofrojnë më shumë ndihma ushtarake për ta ndihmuar rezistencën e saj kundër pushtimit rus./rel


Shtuar 14.07.2023 07:57