Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se do të padisë për sulm fizik, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, shkruan Gazeta Express.
Lushtaku tha se ky ka qenë sulm i koordinuar ndaj tij.
Ndërkaq, lidhur me veprimin e tij ndaj kryeministrit Kurti, Lushtaku tha se s’ka pasur për qëllim reagim të dhunshëm.
““Ne nuk e kemi pritur që një zv/kryeministër të dhunojë demokracinë, dhe të sulmojë siç keni parë gjithë mediat dhe qytetarët, prandaj unë duke i parë të gjitha këto sulme në drejtim timin dhe të kolegëve, ku fizikisht jam gjuajtur me shishe plot me ujë, nga zv.kryeministri Besnik Bislimi, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxshiu erdhi për me më shtyrë e pastaj ministri i Financave, Hekuran Murati i cikli ishte me një mjet të fortë dhe sigurisht që pas atij reagimi dhe pas asaj gjuajtje unë kam reaguar. Nuk e kisha në plantë kem një reagim të dhunshëm. Veprimi im ka qenë politik dhe si i tillë kam vepruar vetëm me një gjuajte të ujit. Besoj që të gjithë kanë nevojë për freskim sidomos kjo qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë dhe Rusisë, sesa vet Kosovës dhe strategjisë kombëtare. Unë do të padis njerëzit e lartpërmendur dhe sigurisht që organet kompetente do të japin vendimin e tyre”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së tha se nuk do të ndalet duke kërkuar të drjetat dhe demokraci.
“Është pak e rëndësishme a do të më godasin apo do të më vrasin sepse ka me qëndru i fortë në kohën më të vështirë, në kohën e okupimit serb, ka me qëndru i fortë sepse me krenari e kemi mbrojt çdo pëllëmb të tokës së Kosovë. Kemi me qëndru të fortë dhe të qëndrueshëm në çdo aksion politik dhe demokratik dhe edhe pse mundohem me na ndal fjalën e lirë dhe aktivitet demokratike ata kurrë nuk do të munden të na ndalin, sepse dëshmorët e kombit janë sakrifikuar për këtë liri”, tha ai.
Lushtaku paralajmëroi se do të bëjë kontroll mjekësor, sepse sipas tij është lënduar gjatë sulmit. /Express/