Përqendrimi i konsumit në shportën e mallrave ushqimore e rrit se tepërmi ekspozimin inflacionit edhe ndaj një artikulli, si në rastin e këtij viti, të qepës dhe të patates.
Pas një periudhe tre mujore kur çmimet mesatare të ushqimeve frenuan ritmet e rritjes, në qershor nisi sërish shtrenjtimi. Çmimet e ushqimeve u rriten mesatarisht me 10.9 për qind në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, nga 10,6% në maj dhe 10% në prill.
Siç shihet çmimet e ushqimeve po ngrenë krye në kulmin e sezonit bujqësor, ku zakonisht tregjet kanë mbi furnizim dhe çmimet reduktohen.
Të dhënat nga tregu referojnë se çmimet e larta po vijnë nga problematikat në sektorin e prodhimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Çmimet e zarzavateve dhe patateve në qershor shënuan rritje vjetore me 26%, si rrjedhojë e prodhimit të kufizuar të qepës së patates që po reflektojnë çmime jashtëzakonisht të larta.
Një kilogram patate dhe qepë ka kushtuar 100-120 lekë në tregjet e pakicës këto ditë nga rreth 70 lekë që ishte vitin e kaluar në këtë kohë. Gjithashtu çmimet e mishit dhe bulmetit u rriten me ritme të larta edhe në muajin qershor me rreth 14.4%.
Inflacioni u rrit mesatarisht me 4 % në muajin qershor, ritmet më të ulëta që nga shkurti 2022, mirëpo artikujt e shportës u rriten me ritme 2.5 herë më të larta se inflacioni, ndërsa për disa shtrenjtimi është shumë më i lartë./Monitor/