Kryeministri i vendit, Edi Rama në kuadër të Turit Ballkanik, është ndalur pasditen e sotme në Malin e Zi.
I pari që mori fjalën në konferencën e përbashkët, ishte kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç. Ai tha se fokusi i vendit të tij është rruga e përbashkët e rajonit drejt BE.
Gjithashtu, Abazoviç tha se mbështesin dialogun dhe bisedimet për zgjidhjen e çështjeve “të nxehta” në rajon.
Abazoviç: Të gjithë jemi të lodhur me temat e kaluara. Fokusi i rajonit duhet të jetë te rruga jonë e përbashkët në BE. Ne nuk mbështesim asnjë lloj agresiviteti. Palët duhet të ulen dhe të flasin që me mënyra demokratike të arrijnë zgjidhje. Në këtë kontekst e shohim edhe vizitën në Tiranë. Në Malin e Zi çdo kryeministër jo vetëm nga rajoni, por edhe bota është i mirëpritur. Ne jemi të interesuar që çdo gjë të kalojë në mënyrë paqësore dhe fokusi të jetë në tema që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe jo në tema të stërlodhura që nuk kanë sjellë asgjë të mirë për rajonin./Albeu.com/