Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia britanike pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike.
Denis Lami u ndalua nga policia në M5 pranë Aeroportit Exeter në Lindjen e Devon. Ai ishte nisur nga Uellsi, dhe sipas medieve të huaja kjo ishte “porosia” e tretë që dorëzonte në 5 ditë.
Lami po drejtonte një makinë Citroen dhe pasagjer ishte miku i tij Valter Kabilo.
Kabilos iu gjet në xhepin e pantallonave një pako me 51.65 gram kokainë me vlerë 2400 paund.
Të dy ishin në kontakt me një tregtar droge me bazë në St Thomas, Exeter.
Lami ishte një emigrant i paligjshëm, i cili u fut kontrabandë në Britani në vitin 2020 dhe punonte si pastrues dhe në një kantier ndërtimi.
Ai nuk fliste anglisht dhe kur policia e pyeti për të dhënat e tij, ai i dorëzoi kartën e biznesit të një firme ligjore penale në Londër, të cilën e kishte tashmë në xhep.
Lami, 30 vjeç, mohoi posedimin e kokainës me qëllim shitjen, por u shpall fajtor nga një juri në gjykatën e Exeter Crown./Albeu.com/