Një sasi tritoli shpërtheu ditën e djeshme në derën e garazhit të 52-vjeçarit shkodran, Agim Uraj. Policia njofton se ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe ka bërë identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes.
U bë shpallja në kërkim e tyre dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve.
Siç bëjnë me dije blutë, autorët e dyshuar ishin shpallur edhe më herët në kërkim për ngjarje të tjera kriminale.
“Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kështu u bë shpallja në kërkim e shtetasve Seadet Myftia, 27 vjeç dhe Zabit Mehmedaj, 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.
Sakaq ditën e djeshme, pronari i banesës, Agim Uraj deklaroi se nuk kishte konflikte me askënd./Albeu.com.