Për pak ditë ( 4 korrik) kryeministrir Edi Rama do të festojë ditëlindjen e tij, në një ditë që përkon me Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në lidhje me këtë datë, Edi Rama ka folur disa ditë më parë në një deklaratë televizive për një dhuratë që priste nga SHB-të.
Fiilimisht u aludua se dhurata mund të ishte liberalizimi i vizave për shqiptarët. Por, kur u pyet nga gazetarët në konferencën e fundit për shtyp në lidhje me këtë, Rama nuk dha detaje, por tha se dhurata që shpresonte mund të mos i kënaqë që të gjithë. Vox News mëson se dhurata që pret Kryeministri është një vizitë e ish-Presidentit të SHBA, Bill Clinton pikërisht më 4 korrik.
Vizita e një ish-Presidenti amerikan në Shqipëri dhe Kosovë merr gjithmonë rëndësi, kur dihet fuqia e tyre lobuese në Uashington. Por, vizita e Bill Clinton, njeriu që udhëhoqi fushatën bombarduese të Serbisë merr një tjetër rëndësi në këto kohë tensionesh në veri të Kosovës.
Veç kësaj, vizita mund të konsiderohet edhe si një mbështetje e qëndrimit të Shqipërisë dhe të Edi Ramës për situatën aktuale në Kosovë, ku Kryeministri ka qortuar qëndrimet kokëforta të Albin Kurtit kundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për të çtensionuar situatën në veri të vendit./albeu.com/