Një shpërthim me tritol u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër.
Ngjarja ndodhi në lagjen “10 korriku” në hyrje të qytetit.
Banesa është në pronësi të 52-vjeçarit Agim Uraj, i cili është biznesmen prej vitesh në Shkodër.
Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse mësohet se familja Uraj ndodhej brenda banesës. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndën plasëse në derën hyrëse të shtëpisë, në një ndërtesë 3 katëshe. Edhe pse sipas policisë vendore të Shkodrës sasia e vendosur nuk ka qenë shumë e madhe sërish shpërthimi është dëgjuar në atë zonë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet për këtë shpërthim. Deri më tani nuk është arritur që të bëhet i mundur identifikimi i vendosjes së tritolit në banesën e biznesmenit Agim Uraj.
Banesa ku ndodhi shpërthimi me tritol është e monitoruar nga kamerat e sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga policia për të bërë të mundur këqyrjen e tyre. Ndërkohë biznesmeni Agim Uraj ka dhënë deklaratën e tij për policinë duke thënë se “nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që kanë vendosur tritolin dhe se nuk ka konflikte me asnjë person.”
Policia ende nuk e ka një pistë të saktë hetimi edhe pse dyshimi kryesor lidhet me aktivitetin e 52-vjeçarit si biznesmen në Shkodër./Albeu.com/