E bija u vra nga partneri italian, rrëqeth nëna e Sibora Gaganit: Vajza ime e dashuronte vrasësin, prisja të ndodhte mrekullia

Ka folur për mediet italiane nëna e Sibora Gaganit, e cila u vra nga i dashuri i saj italian, Marco Romeo nëntë vite më parë.

Trupi i Sibora Gaganit u gjet i murosur në një apartament në Torremolinos të Spanjës më 6 qershor të këtij viti.

Nëna e Siborës, Beta Shahini, thotë mes lotësh se do të dijë se kush e ndihmoi vrasësin e të bijës , ndërsa pohoi se Sibora ishte shumë e dashuruar me partnerin që i mori jetën.

“Askush nuk më besoi kur thashë se i kishte ndodhur diçka e keqe asaj. Dua të di kush e ndihmoi vrasësin! Sibora ishte shumë e dashuruar me atë!”, tha Beta Shahini.

Nëna shpresonte deri në momentin e fundit që të ndodhte mrekullia dhe vajza e saj të kthehej në shtëpi e të thoshte “jam mirë”.

“Kur më erdhi analiza e ADN-së ishte momenti më i keq i jetës sime, sepse kisha një shpresë që vajza ime të kthehej dhe të më thoshte gjithçka ishte mirë. Si e vrau një vajzë në lule të jetës, vetëm 22 vjeçe. Ai për mua ishte një monstër një vrasës”, tha ajo.
Kujtojmë se Sibora Gagani u zhduk në vitin 2014, në Spanjë, ku kishte shkuar për të jetuar më të dashurin italian, Marco Romeo.

Ky i fundit u arrestua më 17 Maj për vrasjen e partneres aktuale Paula, një 28-vjeçarje spanjolle e cila u vra me 14 goditje me thikë nga shtetasi italian.
Çështja për Siborën u rihap dhe kërkimet për Siborën rinisën pas deklaratës spontane të 45-vjeçarit teksa shoqërohej për një vrasje të dytë, atë të 28-vjeçares spanjolle Paula, nëna e djalit të tij.

Autoritetet gjyqësore, i kanë komunikuar familjes Gagani përgjigjet e ADN-së, pas ekspertizës që iu nënshtruan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Malaga.

Trupi i Siborës u gjet më 6 Qershor, i murosur në apartamentin ku ata kishin jetuar në qendër të Terremolinës. Ishte vetë Marco Romeo që u tha autoriteteve spanjolle se e kishte vrarë e murosur 22-vjeçaren, 9 vjet më parë.

Por sipas mediave spanjolle, në momentin që u mor në pyetje para gjykatës, ai ka deklaruar se është i pafajshëm. Deklarata mësohet se ka ndodhur para se të gjendej trupi i murosur. Por me gjetjen e saj tashmë ai përballet me akuzën për vrasje të dyfishtë./albeu.com/


Shtuar 25.06.2023 09:43