Pas eleminimit të “vuajtur” nga “la furia roja” spanjolle në gjysmë-finalet e UEFA Nations League, “të kaltërit” e Italisë mundën sot “tulipanët” holandezë me rezultatin e ngushtë 2 me 3, për të siguruar kështu vendin e 3-të të kompeticionit.
Të parët që zhbllokuan sfidën në arenën “De Grolsch Veste” ishin “të kaltërit” e teknikut Robeto Mancini, me anësorin “zikaltër”, Federico Dimarco që mposhti lehtësisht portierin Bijlow, me një goditje potente brenda zonës, në minutën e 6’-të të sfidës dhe vetëm 14 minuta më vonë italianët vazhduan dominimin e tyre, me “sensacionin” e Serie A, Davide Frattesi, që çon rezultatin në 0 me 2, për ta mbyllur pjesën e parë me fitore.
Me fillimin e pjesës së dytë vjen dhe reagimi i “tulipanëve”, të cilët gjetën rrugën e rrjetës me “fantazistin” e Ajax, Steven Bergwijn në minutën e 68’-të, por një super Federico Chiesa çon shifrat 1 me 3 vetëm 5 minuta më vonë duke i dhënë goditjen e “knock out”-it vendasve. Mirëpo, nuk do të mbaronte me kaq, pasi “tulipanët” do të shënonin dhe një herë tjetër, kësaj radhe në minutën e 90’-të falë mesfushorit Gini Wijnaldum, duke “vulosur” rezultatin 2 me 3.
Tashmë e vetmja gjë çka ka mbetur nga ky edicion i Nation League është përcaktimi i fituesit të trofeut, fitues i cili do të përcaktohet nga përballja e mbrëmjes së sotme me “demave” të Spanjës dhe “ballkanasve” të Kroacisë