Begaj në Forumin e Prespës: Kurti dhe Vuçiç të marrin përgjegjësi për të normalizuar marrdhëniet mes dy vendeve

Presidenti Bajram Begaj po merr pjesë në Forumin e Prespës për dialog.

Gjatë fjalës së tij, Begaj ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Begaj tha se është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë historike, për ta çuar përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.

Ai tha se askush s’mund të verë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës.

Duke iu referuar Kosovës dhe dakordësisë publike të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Begaj, nënvizoi se askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pasi Kosova është një realitet i politik i pakthyeshëm.

Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe influencën e tyre në proceset demokratizuese, duke nënvizuar, se nga historia kemi mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme dhe tolerimi apo mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave demokratike e bën kalimin nga demokracia në autokraci thjesht çështje kohe.

Në mbyllje të fjalës, Presidenti Begaj bëri thirrje për përcjelljen e një mesazhi të përbashkët të liderave nga ky forum, duke nënvizuar, se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e rajonit do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike.

Në fjalën e tij në këtë sesion, Presidenti Begaj vlerësoi efektet pozitive të prodhuara nga Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por mbi të gjitha për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe zgjerimit të hapësirës së sigurisë euroatlantike. Presidenti Begaj e konsideroi kurajon dhe vizionin e liderëve që arritën këtë marrëveshje një shembull shumë të mirë për të gjithë rajonin.

Gjithashtu, duke iu referuar agresionit brutal ushtarak rus, të paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, nënvizoi se efektet e këtij agresioni janë të shumëfishta, duke evidentuar në mënyrë të veçantë efektin e drejtpërdrejtë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë sesion ishin të ftuar të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, zotit Stevo Pendarovski, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenber, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç./albeu.com/


Shtuar 16.06.2023 10:59