Haxhia zbulon çfarë i tha një i dënuar Tahirit në burg: Më vjen shumë turp që po lirohem unë dhe jo ti

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është liruar nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Elbasanit. Pas këtij vendimi, Tahirit i takon të kryejë 1 vit 7 muaj e 11 ditë në shtëpi si pjesë të mbetur të dënimit.

Avokati i tij, Maks Haxhia ka folur për mediet pas vendimit të Gjykatës.

Ai ndër të tjera ka treguar edhe bisedën e ish-ministrit të brendshëm me një person të dënuar, ku tha se ky i fundit kishte shprehur keqardhje që po lirohej nga burgu, ndërkohë Tahiri ngelej ende në qeli.

Avokati: Një person me precedent të theksuar u lirua dhe duke dalë i tha zotit Tahir më vjen shumë keq dhe shumë turp që dal unë dhe ti rri në burg

Paska zënë shoqëri Tahiri në burg ?

Avokati: Normale, njeri është dhe ai.

Çfarë ndodh tani më karrierën politike të Saimir Tahirit?

AlbEu kontaktoi me avokatin Jordan Daci, i cili theksoi se sipas ligjit, ish-ministrit i ndalohet që të marrë pjesë në jetën aktive politike për 20 vitet e ardhshme.

Tahiri është sot 43 vjeç dhe sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ai mund të rikthehet në politikë pasi të ketë mbushur 64 vjeç.

Dënimi

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. /albeu.com

 


Shtuar 2.06.2023 13:54