“Nuk hanë dot bukë me rrogat që kanë”, Murrizi ironizon rritjen e pagave për deputetët

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka shprehur shqetësimin për pagat e deputetëve, pasi sipas tij, janë të pamjaftueshme për të mbyllur të gjitha kostot që ka një familje.

I indinjuar për pagën ‘modeste’, ai tha se nuk mbulon dot as shpenzimet më minimale, duke gjetur kështu një mënyrë tjetër si për ti kompesuar të ardhurat që duhen. Me tone ironike Murrizi deklaroi se jo të gjithë janë hajdutë, duke përballuar jetesën me aq mundësi sa kanë.

“Deputetët marrin 1 milion e 134 mijë lekë të vjetra në muaj. Nëse s’janë të martuar, kanë një gjë që rrojnë 6 muaj te shtëpia e tyre e 6 muaj tek shtëpia e tjetrit. Por po janë të martuar dhe kanë fëmijë, të dy burrë e grua nuk paguajnë dot as drita e ujë, e as nuk hanë bukë. Nëse i mendoni se janë të gjithë hajdutë, nuk janë të gjithë të tillë”, tha ai teksa ishte i ftuar në RTV Ora.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur Komisioni i Ekonomisë votoi sot në unanimitet të rrisë rrogat e deputetëve dhe ministrave. Vendimi është miratuar teksa po diskutohej pr.ligji për rritjen e pagave të të gjithë administratës. Ky vendim erdhi pas përplasjes së deputetëve me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimajt, ku shprehën pakënaqësi lidhur me rrogën e tyre.


Shtuar 23.05.2023 23:43