U la në burg/ A do jetë kryebashkiak Fredi Beleri? Eksperti tregon si veprohet ligjërisht

Gjykata e Posaçme caktoi sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Belerin dhe mikun e tij Pandeli Kokaveshi.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, akuzohet pët blerje votash. Por çfarë do të ndodhë me mandatin e tij si kryabshkiak?

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka shpjeguar ditën e sotme në Top Talk se si do të veprohet në vazhdim me kryebashkiakun e Himarës Fredi Belerin, i cili është në paraburgim.

Karamuço u shpreh se nëse Beleri nuk betohet apo nuk paraqitet për tre muaj në bashki, e humb mandatin dhe shkarkohet. Vendimi për shkarkimin e tij mund të merret nga Këshilli i Ministrave, tregoi Karamuço.

“Nëse ai nuk betohet për të marrë mandatin nuk është më kryetar bashkie, nëse nuk paraqitet tre muaj në detyrë menjëherë shkarkohet. Ne kemi një jurisprudencë të kryetarit të bashkisë Dibër, Shykriut në të cilën Gjykata Kushtetuese ka vendosur që edhe pse personi nuk është dënuar ende me vendim gjyqësor të formës së prerë, vendimi konkurron, sepse i lihet kompetencë me kushtetutë qeverisë, që për çdo çështje që ata gjykojnë se është shkelje flagrante e kushtetutës, mund ta shkarkojë. Lihet në fuqi edhe kjo pjesë. Shkarkimi e ka në dorë Këshilli i Ministrave jo në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministri.”, tha Karamuço.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj, në ambientet e jashtme të lokalit të tij, nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës u transferua nga paraburgimi i Vlorës në paraburgimin e 313 në Tiranë. Ai u la në burg nga Gjykata e Vlorës, e cila më pas ia kaloi çështjen SPAK-ut.

Arrestimi i Belerit ka sjellë shumë reagime, me palën greke, e cila shpesh herë ka bërë thirrje për lirimin e tij, përndryshe Greqia do të ngrejë pengesa për perspektivat e saj të pranimit në BE dhe të bllokojë aksesin në mjetet e financimit evropian./albeu.com/


Shtuar 22.05.2023 19:54