Si taktikat populiste po ia rrënojnë karrierën presidentit francez Emmanuel Macron

Nga Charles Barthold “The Conversation”

Përktheu Alket Goce – AlbEu

Presidenti francez Emmanuel Macron po përballet aktualisht me një krizë politike të paprecedentë në kohët bashkëkohore. Pierre Rosanvallon, një nga teoricienët politikë më me ndikim në vend (dhe një njeri i njohur për qasjen e tij të moderuar), thotë se Franca “po kalon aktualisht krizën e saj më të rëndë demokratike që nga lufta për pavarësinë e Algjerisë”.

Reforma e pensioneve e Macron është hedhur poshtë nga parlamenti. Por në vend se të pranonte humbjen, ai përdori manovrat parlamentare për të imponuar ndryshimet në sistem pa pëlqimin e parlamentit. Reforma përfshin rritjen e moshës minimale të pensionit shtetëror nga 62 në 64 vjeç, me synim për ta bërë sistemin më të qëndrueshëm.

Megjithatë, bordi këshillimor i ngarkuar me vlerësimin e sistemit të pensioneve, ka deklaruar se ai nuk ndodhet në një rrezik financiar emergjent, për shkak se trajektorja e deficitit të tij është ende e menaxhueshme. Shumë ekonomistë, përfshirë Thomas Piketty me prirje të majtë, e kundërshtojnë reformën pasi ajo cilësohet e padrejtë.

Qytetarët që gjenden në fundin e poshtëm bazuar në normën e fitimeve, do të rëndoheshin më shumë nga kostoja, sepse zakonisht ata e nisin punën në një moshë më të hershme. Për këtë arsye, reforma ka nxitur protesta në shkallë të gjerë, të cilave u janë bashkuar si sindikatat radikale po ashtu edhe ato reformiste.

Kjo gjendje e pazakontë, në të cilën organizatat që janë rrallë në të njëjtin kamp, janë bashkuar kundër Macron, tregon se në çfarë situate të pasigurt ndodhet presidenti francez.

Shumica e publikut (me disa përjashtime, si ata që tashmë janë pensionistë) e kanë refuzuar këtë reformë.

Një sondazh i fundit zbuloi se 68 për qind e popullsisë franceze është kundër tij.
24 për qind janë indiferentë, dhe vetëm 8 për qind janë në favor të saj. Reforma e pensioneve është aq shumë e papëlqyeshme, saqë Macron nuk ishte në gjendje të bindte mjaftueshëm deputetë të qendrës së djathtë ose të qendrës së majtë për ta mbështetur atë në parlament.

Madje edhe anëtarët e partisë së tij refuzuan ta mbështesin projektligjin. Ndaj Macron u detyrua të përdorte një procedurë të diskutueshme të mocionit të mosbesimit. Ajo përfshin kalimin e projektligjit përmes parlamentit, por pa i lejuar deputetët që ta votojnë atë, duke kuptuar se më pas deputetët mund të përpiqen ta rrëzojnë atë përmes një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë.

Macron i mbijetoi mocionit të besimit që pasoi kalimin e draftit dhe tashmë reforma është kthyer në një ligj. Por kostoja ka qenë e madhe. Macron ka mbetur i izoluar politikisht. E gjithë kjo situatë u krijua nga ajo që e ndihmoi

Macron të bëhej i suksesshëm dikur: qasja e tij populiste ndaj lidershipit.

Retorika e tij përçarëse dhe refuzimi për të bërë kompromise me establishmentin politik tradicional (partitë kryesore politike dhe sindikatat), e ndihmuan atë që të trazonte politikën franceze dhe të kalonte përmes një sulmi të rrufeshëm nga pozitat e një të jashtmi në të qenit president.

Megjithatë, ky është i njëjti stil përçarës që ka prodhuar edhe ngërçin politik aktual. Ndërsa Macron përshkruhet zakonisht si një kundërshtar liberal i populizmit, ai është në fakt vetë një populist. Ngritja e tij në pushtet, ndodhi kryesisht për shkak të përdorimit të një narrative “ne” dhe “ata”.

Nga njëra anë ishin progresistët e orientuar drejt së ardhmes (ata të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë që janë në favor të globalizimit) dhe Bashkimi Evropian. Nga ana tjetër ishin konservatorët, “ekstremistët” (një term që e lejoi atë të bashkonte ekstremin e djathtë dhe të majtë) dhe elitat politike nga partitë tradicionale.

Në shenjat e para të populizmit të tij, Macron tregoi një tendencë të qartë për të marrë vendime nga lart, pa shumë konsultime dhe për të anashkaluar negociatat e institucionalizuara (si p.sh me sindikatat).

Oportunistit po i mbarojnë mundësitë që ka në dispozicion

Macron ka pasur deri më tani sukses duke shfrytëzuar mundësitë që i janë paraqitur. Ndërhyrjet e tij të mprehta i dhanë mundësi të përfitonte nga kriza në partitë politike tradicionale në vitin 2017 dhe të paraqitej si një alternativë e re.

Megjithatë në kushtet kur ai vetë është një populist, lidershipi i Macron-it është ndërtuar kryesisht rreth tij, dhe jo një organizate politike të fortë. Rrjedhimisht, partia e tij politike e dobësuar nuk arriti të sigurojë një shumicë në parlament në vitin 2022. Macron u detyrua të formonte një qeveri të pakicës, një situatë kjo e paparë që nga vitet 1980.

Ajo që e shton më tej presionin është fakti që kushtetuta nuk e lejon Macron të qëndrojë përsëri si president pas vitit 2027. Kjo e ka dobësuar autoritetin e tij brenda partisë së tij dhe e ka bërë atë një “rosë të çalë”, pasi deputetët e tij kanë edhe më pak nxitje për ta mbështetur atë në miratimin e ligjeve jo popullore.

Kësisoj ekzistojnë shumë pikëpyetje mbi aftësinë e tij për të miratuar ligje të mëtejshme brenda mandatit të tij.

Minimi i proceseve demokratike krijon llojin e klimës politike brenda së cilës lulëzojnë politikanë si Marine Le Pen.

Kjo e fundit ka humbur ndaj Macron në dy balotazhe presidenciale, por vitin e kaluar e ngushtoi shumë diferencën me Macron. Ndaj mund të pritet që të përfitojë nga degradimi i administratës së tij. Duke pasur gjithë këtë në mendje, Macron do të tregohej i mençur po të adoptonte një stil më pajtues, duke iu drejtuar qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë apo edhe sindikatave ndërsa zhvillonte planin e tij mbi reformimin e sistemit të pensioneve.

Megjithatë, ai vendosi të vazhdonte përpara i vetëm, duke rënduar më tej një situatë tashmë problematike në sistemin politik francez dhe duke shkaktuar në fund një krizë demokratike./albeu.com


Shtuar 20.05.2023 13:14