Presidenti i Republikës, Bajram Begaj,ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij kroat, Zoran Milanoviç. Begaj ndodhet në një vizitë tre ditore në Kroaci me ftesë të homologut Zoran Milanoviç.
Sot është dita e dytë e vizitë. Pas takimit me Milanoviç, Begaj, tregoi se me homologun kroat, diskutoi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, përfshirë dhe një linjë direkte ajrore Shqipëri-Kroaci.
“Kjo është vizita ime e dytë si president jashtë vendit, pas asaj të Kosovës. Vizita ime në Kroaci është e rëndësishëm në kuadër të marrëdhënies mes dy vendeve. Patëm një bisedë të gjatë, ku fokusi kryesor ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe. Marrëdhëniet shqiptaro-kroate sot janë në ditët e tyre më të mirë, falë vizionit të përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Ndamë bindjen se ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Për një ndërlidhje më të mirë mes dy vendeve, ndamë mendimin që të ketë një linjë ajrore direkte mes dy vendeve apo një ndërlidhje portuale”, tha Begaj.
Ndërkohë Milanoviç nga ana e tij shprehu përkrahjen e Kroacisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, kreu i shtetit do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare. Vizita do të mbyllet ditën e premte./albeu.com/