Luftime të ashpra në Sudan, pavarësisht thirrjeve për armëpushim

Forcat luftarake në Sudan kanë vazhduar përleshjet edhe të premten, duke injoruar thirrjet e fuqive të mëdha për armëpushim, në ditët kur shënohet festa e Fitër Bajramit.

Këtë festë e shënojnë besimtarët myslimanë, pas përfundimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Më shumë se 300 njerëz janë vrarë, dhe mijëra të tjerë janë plagosur, prej nisjes së luftimeve një javë më parë, në mes të ushtrisë dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), i njohur si Hemeti.

Komiteti Qendror i Mjekëve të Sudanit, ka thënë se bombardimet janë dëgjuar në disa zona të Kartumit përgjatë natës, si dhe është raportuar për përleshje të reja.

Kartumi është duke u përballur me luftime të ashpra, duke përfshirë sulmet ajrore dhe ato me tanke.

Rreth pesë milionë banorë besohet se kanë mbetur pa rrymë, ujë dhe ushqime.

Edhe linjat e komunikimit janë dëmtuar rëndë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u kanë bërë thirrje palëve për armëpushim, “të paktën” në tri ditët e Bajramit.

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, kanë thënë se do ta nisin armëpushimin 72-orësh në orët e para të agimit.

Mirëpo, sikurse edhe dy zotimet paraprake, edhe ky i fundit nuk është përmbushur.

Historiku i luftimeve

Prej puçit të tetorit të vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve.

Në qendër të problemit janë dy burra ushtarakë.

Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i forcave të armatosura dhe faktikisht është edhe president i shtetit.

Si dhe zëvendësi i tij dhe lideri i forcës paramilitare RSF, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo.

Ata nuk janë pajtuar për drejtimin që e ka marrë shteti dhe kanë propozuar udhëheqësi civile.

Por, një prej pikave bllokuese lidhet me planin për të përfshirë 100.000 pjesëtarët e forcës paramilitare në ushtri dhe se kush do të jetë më pas në krye të saj./REL/


Shtuar 21.04.2023 12:41